126 kosovarë kryen transplant të veshkave jashtë shtetit

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 09:02 | Nga

Numri i përgjithshëm i pacientëve në dializë është 830, përderisa 126 kanë bërë transplant të veshkave jashtë shtetit. Në Kosovë nuk ka bazë ligjore për transplante të tilla, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Numri i pacientëve kosovarë që i nënshtrohen dializës në Klinikën e Nefrologjisë po rritet nga viti në vit. Rreth 90 pacientë të ri për çdo vit i nënshtrohen shërbimit të dializës, përderisa numri i përgjithshëm i pacientëve në dializë është 830.

Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” Ibrahim Rudhani nga Klinika e Nefrologjisë, e cila funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Rudhani ka bërë të ditur se në mungesë të ligjit në Kosovë ende nuk mund të bëhet transplantimi i veshkave, me ç’rast pacientët kosovarë detyrohen të shkojnë jashtë vendit për shërbime të tilla.

“126 pacientë nga Kosova kanë bërë transplantimin e veshkave jashtë vendit, pasi që në mungesë në ligjit kemi edhe mungesë të stafit të specializuar për transplant të veshkave. Ministria e Shëndetësisë i ndihmon financiarisht pacientët që kanë probleme me veshkë për ta bërë transplantimin jashtë vendit, të cilët më pas i mbikëqyrim në Klinikën Nefrologjisë”, ka bërë të ditur Rudhani.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme