13 kandidatë ia kanë mësyrë garës për t’u bërë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën janë dy vende të lira, raporton Ekonomia Online.
Gjatë së hënës, Komisioni i posaçëm për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka mbajtur mbledhje, ku u shqyrtuan dokumentacionet e tyre, nëse i plotësojnë kushtet e kërkuara me Ligj.
Kryetari i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi, tha në një konferencë për medie, se të 13-të kandidatët u nominuan për të kaluar në fazën tjetër, siç është testi me shkrim dhe intervistimi me gojë.
“Sot Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kishte mbledhjen e radhës, natyrisht në këtë fazë trajtoi të gjitha nominimet e bëra sa i përket pozicionit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Siç mund ta dini janë dy pozicione të lira të gjyqtarëve në Kushtetuese për të cilën janë nominuar 13 kandidatë. Komisioni i posaçëm sot shqyrtoi një për një secilin kandidat, dokumentacionin, përvojën e kështu më radhë, dhe në fund miratoi të gjithë të 13-it për të kaluar në fazën tjetër të testit me shkrim dhe të intervistës me gojë”, tha Rrustemi.
Rrustemi tha se testi me shkrim dhe intervistimi me gojë do të bëhet më 29 mars.
“U vendos që më 29 mars të zhvillohet testi me shkrim për kandidatët kur Komisioni i posaçëm paraprakisht do të mblidhet për të hartuar pytjet për testin me shkrim. Uroj që kësaj here Kuvendi i Kosovës të përzgjedh dy kandidatët më të mirë për të kompletuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese”.
“Gjykata Kushtetuese ka kuorum, nuk ka pengesë për vendimmarrje por sido që të jetë, Kuvendi i Kosovës është një institucion që ka përgjegjësi për të kompletuar dhe për ta funksionalizuar tërësisht edhe këtë institucion si të tjerët”.
Kandidatët për gjyqtarë janë: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutra Hoxha, Dukagjin Abduli, Albert Avdiu, Rafet Haxhaj dhe Valon Hasani.