Sot u dha njoftimi për dy persona që humbën jetën tragjikisht në komuniacion. Një i ri (20 vjeç) ndërroi jetë në QKU pas lëndimeve të rënda që i mori nga goditja e trenit ditë më parë në afërsi të kazermes “Adem Jashari”. Nga treni lëndime vdekjeprurëse mori mëngjesin e sotëm edhe një 51 vjeçar në Pejë. Para dy ditësh nga një aksident i rëndë trafiku që ndodhi më parë në Bresalc të Gjilanit vdiq edhe një person tjetër i gjinisë mashkullore. Për dy muaj jetën në komunikacion e humbën 14 persona, raporton Gazeta Express
Për një javë në katër aksidente të ndryshme trafiku jetën e kanë humbur gjashtë persona, të gjithë këta të gjinisë mashkullore, madje katër nga ta të moshës së re prej 20 deri në 26 vjeç.
Dita e sotme nisi me dy lajme tragjike. I.H 20 vjeç, ka humbur betejën me plagët që ia shkaktoi një tren ditë më parë në afërsi të kazermës “Adem Jashari”. Ky i ri atë ditë kishte shkuar për të aplikuar si rekrut në FSK, por u godit nga një tren dhe mori plagë të rënda trupore. Për disa ditë rresht qëndroi në intensivë në QKU por mbrëmë ndërroi jetë.
Aksidenti tjetër me tren ndodhi në Pejë. Madje në vendin e ngjarjes ndërroi jetë Sahit Lokaj 51 vjeçar.
Po ashtu gjatë ditës së shtunë tre anëtarë të familjes Sope nga fshati Zhur i Prizrenit kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në aksin rrugor Prizren- Zhur. Babai Ramiz Sope, 50 vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Behar Sope, 24 vjeç, dhe Lumbardh Sope, 22 vjeç, u aksidentuan për vdekje me një kamion për pastrimin e borës. Deri më tani, dyshimet e para të prokurorisë thonë se aksidenti është shkaktuar nga vetura e viktimave.
Sidoqoftë, policia tha se në janar të këtij viti në aksidente humbën jetën shtatë persona, ndërsa në janarin e vitit 2018 jetën e kanë humbur gjashtë persona ose një viktimë më shumë gjatë janarit të këtij viti sesa në janarin e vitit të kaluar.
Ndërsa për dy muaj në aksidente të ndryshme trafiku në Kosovë jetën e kanë humbur gjithësej 14 persona.
Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Po ashtu për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në publik janë shpërndarë disa kampanja vetëdijësuese.
Statistika shtesë rreth aksidenteve në trafik gjatë 2018-s:
Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018. Këtë shifër e dha Policia për Gazetën Express.
“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur”, tha policia