Me mungesë të kuadrit shëndetësor profesional në vend nuk është duke u përballur vetëm sektori publik, por edhe spitalet private, kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Armend Agani, kryetar i Bordit të Asociacionit të Spitaleve Private të Kosovës (ASPK), raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kanë mungesë të shumë kuadrove, por që këto mungesa janë duke i mbuluar me sjelljen e ekspertëve nga jashtë, e po ashtu ka theksuar se si Asociacion janë duke punuar që t’i kthejnë profesionistët shëndetësor nga mërgata.
Agani ka shtuar se kthimi i mjekëve dhe infermierëve e po ashtu edhe ndalja e tyre për të mos u larguar nga vendi, bëhet duke u ofruar kushte më të mira të punës, duke përfshirë edhe paga më të larta.
“Sa i përket gjendjes së kuadrove kemi edhe ne probleme- spitalet private. Shumë kuadro na mungojnë, njëra nga arsyet është se ne marrim ekspert edhe nga jashtë, por në anën tjetër jemi duke punuar shumë që rikthejmë profesionistët, mjekët dhe infermierët, nga mërgata t’i kthejmë në Kosovë. Duke u ofruar kushte më të mira të punës, eksperiencën tonë, po ashtu duke u ofruar edhe paga më të mira se që i kanë momentalisht në BE se. E dimë se edhe në BE kanë probleme të mëdha financiare në shëndetësi, por edhe me kuadro. Vizioni edhe misioni jonë është që të mbajmë pacientin në Kosovë, por për këtë na duhet staf profesional në Kosovë”, tha Agani për EO.
“Mjekët, infermierët jo vetëm në Kosovë, lëvizin në gjithë botën. Kemi ardhje të mjekëve nga India, kemi nga Pakistani, sidomos në Angli. Kemi ikje të mjekëve nga Gjermania në vendet skandinave, edhe ne nuk mund ta ndalim atë. Si mund ta ndalim me kushte më të mira, me pajisje më të mira, me infrastrukturë më të mirë edhe me paga më të mira. Duke marrë parasysh ekonominë tonë të brishtë jo aq të fortë, nuk mundemi që shumë shpejt të përmirësohet kjo. Por, ne si spitale private jemi duke punuar në atë aspekt”, ka thënë ai.
Agani ka thënë se mungesa të kuadrove në spitalet private ka në Kardiokirurgji, Onkologji, Ortopedi Spinale dhe disa kuadro specifike.
“Ka në Kardiokirurgji, kemi mungesë të kuadrove në Onkologji, kemi mungesë të kuadrove në Ortopedi Spinale, kemi edhe disa kuadro specifike mungesë. Por, ne jemi duke punuar edhe si spitale private që të sjellim ekspert nga jashtë me i trajnuar specializantet me pajisje të mira, me infrastrukturë të mirë, por edhe me edukim të vazhdueshëm. Njëra nga arsyet është edhe ajo që ne jemi anëtarësuar në Unionin e Spitaleve Private Evropiane ku nga ta do të kërkojmë ndihmë në edukim të vazhdueshëm, në teknologji të reja edhe në ballafaqimin me krizën”, ka thënë ai.
Agani ka thënë se Kosova ka çmimet me të lira të shërbimeve shëndetësore se sa vendet e rajonit.
“Ne në rajon mundemi me thënë lirisht që jemi më të lirët. Po foli për Serbi, Kroaci, Slloveni, me Maqedoninë jemi aty. Por, kur ta merr koston e përgjithshme të pacientit për udhëtim, ku duhet që të jetë edhe një përcjellës, të kryhet transporti, hotelerinë, e krejt ato shpenzime, prapë Kosova del që është më e lirë. Por, po them që kriza ekonomike e ka bërë të vetën, kushtet ekonomike familjare janë të rënda kështu edhe shëndetësia nuk i ikë asaj”, ka thënë ai.
Agani ka shtuar se bashkëpunimi ndërmjet ASPK-së dhe Qeverisë nuk është në nivelin e duhur, por që sipas tij ky bashkëpunim është duke u përmirësuar.
Ai ka shtuar se të gjithë aketerët institucional duhet që të bashkëpunojnë në të mirë të pacientëve.
“Nuk është në atë nivelin e kënaqshëm sa kisha pasur dëshirë që të jetë. Por, mund të them që është në përmirësim. Niveli, po flas për qeverinë, Ministrinë e kanë parë që jemi një Asociacion serioz, jemi spitale serioze të cilët punojmë në avancimin e produkteve tona dhe i kemi interesat e përbashkëta që të mbajmë pacientin në Kosovë, t’i mbajmë profesionistët shëndetësor në Kosovë. Çka presim prej tyre? Nuk presim ndonjë ndihmë financiare, edhe pse ish dashur, presim që të na lehtësojnë procedurat, ligjet, udhëzimet administrative, licencimet që të na lehtësoj, mos të na vështroj pjesën administrative edhe të bëjnë politika të përbashkëta. Se pacientin nuk mund ta ndajmë në privat apo publik, pacienti është pacient, duhet që të marr shërbime sa më të mira, duhet që ne, Ministria, Qeveria, që të punojmë bashkërisht, do të thotë spitalet private dhe publike në përmirësimin e shëndetësisë Kosovare”, ka thënë Agani për EO.