15 ditë kohë për Kurtin, Baraliu tregon hapat që duhet ndjekur

Prishtinë | 20 Jan 2020 | 13:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas dekretimit që i ka bërë Presidenti Hashim Thaçi, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për formimin e qeverisë ky i fundit, ka vetëm 15 ditë afat që të tregojë nëse i ka nurmat për të udhëhequr me qeverinë.

Në të kundërtën, sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliu, mandatari tjetër mund t’i shkojë partisë së dytë.

Baraliu ka thënë se Kurti i ka 15 ditë në dispozicion që t’i mbledhë 61 vota për formimin e qeverisë, raporton Ekonomia Online.

“Prej momentit kur Presidenti në bazë të nenit 95 të Kushtetutës e mandaton mandatin, këtë rast Albin Kurtin, duhet të ketë në dispozicion 15 ditë për ta formuar qeverinë. Meqë është konstituuar Kuvendi, tani duhet që mandatari i ri ta bëjë listën përbërëse të qeverisë dhe të përgatitet në mënyrë që kur të dalë në Mbledhje të Kryesisë propozimi pastaj në seancë plenare të votohet me më së paku 61 vota duhet t’i ketë në mënyrë që të zgjidhet qeveria”, ka thënë Baraliu për Ekonomia Online.

Por nëse brenda këtij afati Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin t’i sigurojë votat e nevojshme, Baraliu thotë se mandatari mund t’i kalojë partisë së dytë, e që këtë rast është Lidhja Demokratike e Kosovës, që kjo e fundit duhet ta bind Presidentin që i ka votat e nevojshme.

“Në qoftëse brenda 15 ditësh mandatari për formimin e qeverisë nuk arrin t’i bëjë numrat në Kuvend, atëherë është paraparë me Kushtetutë edhe një afat shtesë 10 ditësh që i jepet mundësia Presidentit të vendit të mandatojë dikën tjetër dhe ai tjetri poashtu në të njëjtën mënyrë do duhej që Presidenti t’i drejtohet partisë së dytë (LDK-së), që të tregojë nëse është e aftë ta bëjë qeverinë. Nëse po, atëherë e mandaton mandatarin që ata ia caktojnë dhe brenda dhjetë ditësh duhet të formohet qeveria”, ka thënë ai.  

Nëse edhe me përpjekjen e dytë nuk formohet qeveria, Baraliu ka thënë se sipas Kushtetutës, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Të ngjashme