15 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot morën titullin e oficerit. Ata diplomuan nga Qendra e Studimeve Universitare, kur për katër vite radhazi u përgatitën për t’i shërbyer vendit, raporton Ekonomia Online.
Disa prej tyre, thanë për Ekonomia Online se është nderë t’i shërbesh atdheut, teksa treguan edhe sfidat dhe mundin që i përcollën këto katër vite.
Në mesin e 15 oficerëve të rinj, është edhe Jetmir Kastrati. Ai për EO tha se përkundër sfidave, nderi e privilegji për t’i shërbyer atdheut ishte i madh.
“Tash veç sa kemi diplomuar prej Qendrës për Studime Universitare, e që është sistem katër vjeçar i shkollimit. Për mua ka qenë krenari dhe privilegj me qenë pjesë e QSU-së. Siç e dini ka qenë sfidë por është nder dhe krenari me i shërbyer atdheut”, tha ai.
“Kjo do të thotë se është vetëm fillim i karrierës sonë dhe na pret shumë punë. Sistemi i Akademisë është katër vjeçar shumë i ngjeshur por Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë për oficer që i shërbejnë vendit dhe që në të ardhmen me i mbërri edhe majat”, tha tutje ai.
Gradën e oficerit e mori edhe Çlirim Gërguri, i cili që nga sot u betua të shërbejë me nder e krenari për shtetin e tij.
“Është krenari e madhe me i shërby vendit dhe atdheut duke e ditë që familjet e dëshmorëve e veteranëve kanë sakrifikuar që mua të më vijë mundësia që me e dhënë sakrificën time është diçka shumë e lartë. Mund, sfidë por përkushtimi është gjithçka çka i duhet një oficeri të ri për me arrit atë që i kërkohet”, u shpreh ai.
Në këtë ceremoni, nuk munguan as familjarët e oficerëve të rinj. Në mesin e tyre ishte edhe Feim Begaj, të cilit iu gradua djali si oficer.
“Së pari i falënderohem Zotit që e ka pas shëndetin, jam shumë i emocionuar dhe është kënaqësi e privilegj për mua si prind por privilegji më i madh për shtetin. Unë jam një gjeneratë e viteve 75-ta dhe ka qenë goxha minimale si shpresë por mbi të gjitha motivi e shpresa janë të pathyeshme dhe të paharxhuara”, u shpreh Feim Begaj.
E i emocionuar u shpreh edhe një i moshuar, i cili pati fatin ta sheh nipin e tij si oficer.
“Për mua gëzim më i madh në jetën time nuk kam pasur, kur kanë lindur fëmija por në këtë moshë nuk kam pasur gëzim më të madh. Deshti Zoti erdh koha, u çliruam dhe shkoi në Akademinë Ushtarake, shumë i lumtur jam dhe të gjithë sa më shumë të shkojmë në këtë Akademi”, u shpreh ky i moshuar.