Vazhdon të rritet me të madhe numri i të vdekurve dhe i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoni të Veriut. Vendi fqinj të enjten ka njoftuar për 15 të vdekur nga pasojat e koronavirusit dhe për plot 173 raste të reja. Ky numër i të infektuarve ka dalë nga testimi i 1653 personave në 24 orët e fundit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.
Kryeqendra, Shkupi, vazhdon të jetë shumë e goditur. Në Shkup të enjten janë raportuar 75 raste të reja. Struga i ka 14 raste të reja kurse Tetova e Kumanova nga nëntë.
Edhe numri më i madh i të vdekurve ishte nga Shkupi, nëntë. Viktima janë raportuar edhe nga Tetova, Struga, Ohri e Gostivari.
Të enjten edhe numri i të shëruarve ishte i lartë, por jo sa i të infektuarve. Janë shëruar 150 pacientë, prej tyre 105 nga Shkupi.
Numri i të infektuarve ka shkuar në 6625. Në Maqedoni të Veriut janë 2748 të shëruar, 321 të vdekur nga pasojat e koronavirusit dhe 3556 raste aktive.