Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 15 viktima. Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.
Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, tre të pajetë u nxorrën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.
Sipas sizmiologut Rrapo Ormëni, tërmeti ka zgjatuar nga 20-0 sekonda, është i njëjtë me atë të vitit 1926 dhe ka patur intensitet 8 ballë. Goditja më e madhe tashmë ka kaluar dhe pritet të ketë disa paslëkundje.
Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë. Qytetet si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:35. Fatkeqësisht, një grua e moshuar u zu e gjallë nën rrënoja, teksa me siguri ajo ka qenë në gjumë.
Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete.
Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz dolën nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.