Të dyshuarit ishin dënuar me nga një vit burgim, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe dhunuesit, që tash është 31 vjeçar, iu zbut dënimi. Prokurorja e rastit madje ka propozuar që të merren parasysh rrethanat lehtësuese për dhunuesin, si pranimi i fajësisë, kalimi i viteve prej ngjarjes dhe detaji që viktima nuk ka marrë dëmtime trupore gjatë aktit të dhunimit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të cilin e posedon Gazeta Express, P.K., në janar të vitit 2012, në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, së bashku me të miturit F.H., dhe A.I., kanë dhunuar vajzën 15-vjeçe. “Në atë mënyrë që gjersa viktima natën kritike kishte dalë nga Spitali i Gjakovës, i pandehuri P.K., së bashku me të miturin A.I., me dhunë nën kërcënimin e thikës nga ana e të miturit A.I., e kishin marrë viktimën, e kishin dërguar në një shtëpi të pabanuar e pastaj me telefon, A.I., kishte thirrë të miturin F.H., i cili kishte shkuar në shtëpinë në fjalë dhe aty gjatë tërë natës i pandehuri dhe të miturit kishin kryer veprën penale të dhunimit. Pastaj e mitura në orët e hershme të mëngjesit kishte ikur nga shtëpia dhe rastin e kishte paraqitur ne polici”.
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtor P.K., tani 31 vjeçar, në atë kohë 21-vjeç për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. Ai është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj e 8 ditë, duke llogaritur kohën sa ka qëndruar në paraburgim.
P.K., ka qëndruar në masën e paraburgimit nga data 29.02.2012 deri më 06.11.2012. I mituri F.H., në paraburgim ka qëndruar nga data 29.02.2012 deri më 30.03.2012, i mituri A.I., gjithashtu ka qëndruar në paraburgim nga data 29.02.2012, thuhet në aktgjykim, por kohëzgjatja e tij në paraburgim nuk është e shkruar në aktgjykim.
I akuzuari P.K., në vitin 2021 ishte dënuar më një vit burgim, por Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të tij, duke e kthyer lëndën në rigjykim.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë (tani Gjykata Themelore në Pejë, në qershor të vitit 2012), i akuzuari P.K., ishte dënuar me burgim prej një viti, gjithashtu edhe dy të miturve i ishte shqiptuar burgim për të mitur në kohëzgjatje prej një viti.
Por, Gjykata e Apelit, në vitin 2014 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.K., dhe të atij F.H., duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe rasti i ishte kthyer gjykatës për rivendosje.
Pasi i akuzuari gjendej jashtë Kosovës, seanca gjyqësore u mbajt sërish më 12 korrik të këtij viti, “me ç’rast në seancë nuk është paraqitur e dëmtuara e as punëtori nga Qendra për Punë Sociale, edhe pse sipas Gjykatës, ftesën e kanë marë por mungesën nuk e kanë arsyetuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, i shpallur në korrik të këtij viti..
Siç thuhet në aktgjykim, Prokuroroja e rastit kishte lexuar aktakuzën ndaj tij, i akuzuari ka pranuar fajësinë, dhe gjykata aprovon pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.
Prokurorja i ka propozuar gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit t’i marrë parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të dhunuesit.
“Prokurorja për të mitur në fjalën përfundimtare ka deklaruar se, pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të veprës penale të përshkruar në dispozitivin e aktakuzës duke propozuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, i propozon gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si pranimi i fajësisë për veprën e kryer, se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, rrethanën se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë madhor i ri, i kishte 21 vjet, që do të thotë se karakteristikat personale të të akuzuarit në atë kohë shoqëria që është shoqëruar, pra dëshmitarët F.H dhe A.I, të cilët kanë qenë të mitur dhe të cilët i ka pasur shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime, për cka edhe në shkresat të lëndës nuk figuron ndonjë ekspertizë mjeko-ligjore”.
I njëjti më pas ka deklaruar se thellë thellë është penduar, ndërsa gjykata atij i ka përcaktuar shpenzimet për paushallin gjyqësor në shumë prej 40 euro dhe taksën në shumë prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.