Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.G., për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë.
A.G., ish-polic, është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 15 vjetësh. Ai e kishte plagosur me armë zjarri ish-gruan e tij me tepër se një vit më parë.
Gjykata ka konstatuar se më datën 04.02.2016, rreth orës 09:30, në Prishtinë, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, i akuzuari A.G pas një përgatitje paraprake ka tentuar që me dhunë ta fus në veturën e tij të dëmtuarën B.C me qëllim që ta privojë nga jeta.
Pasi që e dëmtuara ka refuzuar, i akuzuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të kokës përkatësisht në syrin e majtë, nga e cila goditje të dëmtuarës i janë këputur indet e syrit të majtë.
Me këtë rast tani të dëmtuarës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë dhe me pasoja të përhershme për shëndetin, andaj me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.