15% zbritje në faturën e ushqimit për ata që nuk rrinë në telefon

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 08:44 | Nga

Ka disa vite që telefonat celularë janë bërë pjesë e pandashme e jona dhe nëse kjo pajisje është inteligjente, varësia ndaj tyre bëhet më e madhe.
Janë të shumta përpjekjet apo idetë origjinale në mbarë botën që synojnë të shkëpusin këtë lidhje, por pak ja kanë dalë.

E fundit që e provon është një restorant në periferi të Teramos në Itali. Dy pronarët e restorantit luksoz kanë menduar që të ofrojnë 15 përqind zbritje nga fatura për të gjithë klientët që paraqiten për të ngrënë pa telefonin me vete.

Për këtë ata kanë menduar që ashtu siç lihet një çadër, xhaketa apo pallto, të lihet edhe celulari; në hyrje të restorantit.

“Shohim gjithnjë e më shumë klientët tanë që vijnë për të ngrënë dhe mes tyre nuk ndodh thuajse asgjë, nuk bisedohet më asgjë, por mendjen e kanë tek telefoni”, thotë Roberto Tulli, njëri prej pronarëve të restorantit.

“Ideja lindi prej nevojës për t’u kthyer në normalitet, të shohim njerëz që teksa shijojnë ushqimin dhe verën tonë të bisedojnë me njëri-tjetrin”, thotë Clara Di Cesare, menaxhere e restorantit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme