Greva në sektorin publik po vazhdon dhe duket se nuk do të përfillet kërkesa e kryeministrit Albin Kurti që mësimdhënësit të kthehen të hënën në shkollë.
Kurti tha se mësimdhënësit po prodhojnë analfabetë, ndërsa doli me një pako të re për ta shuar sadopak pakënaqësinë me qeverisjen e tij. Presidentja Vjosa Osmani po ndërmjetëson mes Qeverisë dhe sindikatave të punëtorëve, por deri tani pa sukses.
Këtë javë s’pati mësim në shkollat e Kosovës. Mësimdhënësit dhe punëtorë të tjerë të sektorit publik janë në grevë. Pagat e gushtit s’i kanë marrë ende, pasi që Qeveria nuk dëshiron t’i paguajë ata që mbajnë grevë. Ministri i Financave, Hekuran Murati para pak ditësh njoftoi se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit. Kryeministri Albin Kurti thotë se njerëzit “nuk duhet të paguhen për mospunën”.
Kryeministri i Kosovës refuzon ta takojë kreun e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharajn. Për të, takimi me Jasharajn është i panevojshëm dhe “e prishë rregullsinë” e shtetit.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat. Këto kërkesa, Kurti i quajti iracionale të shtunën, në një konferencë për media ku njoftoi për ndarjen e 150 milionë eurove për një pako të re për përballjen me inflacion. Me këtë pako parashihet edhe ndarja e 50 eurove shtesë për punëtorët e sektorit publik nga muaji shtator.
Kurti tha se sindikalistët kanë “dëshira delirante” në vend të “kërkesave racionale”, ndërsa foli pak se si duhet të jetë sipas tij imazhi i tyre. Kërkesat e sindikatave Kurti i sheh si kërcënim dhe shantazhim ndaj Qeverisë së tij me “rrënimin të shtetit”.
“Është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”, tha Kurti.
Si kurrë më parë, Kurti dje vendosi t’i godasë mësimdhënësit, për të cilët shpresonte se nuk do ta përfillnin sindikatën, por do ta dëgjonin ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale, ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por ju po e shihni se çka po ndodh. Veç kërkesë për pare, për ta bankrotu shtetin, për ta shkatërru shtetin. Është papërgjegjësi totale”, tha Kurti.
Presidentja Osmani e takoi Jasahrajn
Në rolin e ndërmjetëses, presidentja Vjosa Osmani e priti dje në zyrë kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, i cili paraprakisht u shpreh optimist se ajo do t’i ulte në një tavolinë përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të sindikatave.
Pas takimit, Jasharaj tha se Osmani i kishte konsideruar legjitime kërkesat e tyre.
“Në takim me presidenten paraqitëm kërkesat tona, të cilat edhe ajo tha se janë legjitime. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj në mënyrë që të ndikojë që të ulemi për të diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë për realizimin e kërkesave tona. Qeveria mund të japë ndihma për punëtorët dhe ne i gëzohemi kësaj, por kërkesat tona janë tjera. E vlerësoj angazhimin e presidentes, por për fat të keq greva do të vazhdojë”, deklaroi Jasharaj para gazetarëve të shtunën.
Presidentja, ndërkaq, tha se Qeveria tashmë e kishte bërë “një hap të rëndësishëm” në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë situatë,
“Sot me prezentimin e pakos ekonomkik, Qeveria ka bërë një hap të rëndësisshëm për zgjedhjen e kësaj zgjidhjeje, tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, që mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë krejtësisht e re, ku të gjitha palët ulen dhe i i tregojnë kërkesat e tyre”, tha ajo.
Ministri Murati u mbulua me miell, Kurtit i reagojnë në internet
Pas konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati, u mbulua me miell teksa po ecte në kryeqytet. Dy aktivistë të PSD-së hodhën miell në këtë aksion “kundër Qeverisë së krizës”.
Frashër Krasniqi nga kjo parti e quajti “tuc” Kurtin, duke thënë se sindikatat e arritën gjysmën e suksesit.
“Pyetja është pse 50 euro? Pse jo 100 euro? Albin Kurti po bën pazar. Sindikatat po bëjnë rezistencë të drejtë. Gjysmën e suksesit e mbërrijtën, me pak insistim do të mbërrijnë sukses të plotë. Mos harroni: Albin Kurti është tuc. Veç presionin e rezistencën e din hak”, shkroi ai.
Analisti Astrit Gashi i quajti vitra masat e reja të Qeverisë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
“Kjo nuk eshte pako ekonomike, ky eshte shenderrim i qeverise se Kosoves ne BIK, ne nje vakef qe shperndan vitra njehere a dy here ne vjet per te varferit, dhe te gjithe muajt tjere i le te vdesin edhe urie. Ndihma per rrymen eshte qesharake. Me te tjeret nuk merret fare”, shroi ai.
“Njerezit edhe shkencetar ne qofshin, e jo analfabet, detyrohen te ikin jashte se nuk gjejne pune, sepse ekonomia private e dobet nuk arrin ti absorbon. E kjo ekonomi, te cilen KM po mendon se mund ta rregulloj nje burokrat e vartes si Hekuran Murati e shefi i tij, vetem eshte dobesuar ne keto dy vite edhe si pasoje e qeverisjes se pakuptimt”, ka shkruar Gashi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, reagoi veç me një fjali: “Kryeministër, lej pallavrat, qiti rrogat!”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti dje dështoi ta kapërcente veten, duke thelluar përçarjen.
“Sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. Refuzoi dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë – njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Reaguan edhe nënkryetarët e dy partive më të mëdha opozitare.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se Kurti i poshtëroi mërgimtarët.
“Diasporën që tash e 60 vjet e mban gjallë këtë vend, e 23 vjet pas luftës e ruan paqen sociale, kurrkush nuk e ka goditur e ofenduar në këtë masë sa Albin Kurti. Me i quajt ‘alalfabetë funksionalë’ mërgatën tonë, është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë”, ka shkruar Haziri.
Për nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, për atë deklaratë, Kurti mori shkas diku.
“Albin Kurti i ka parë sondazhet e njëjta nga diaspora që i kemi parë edhe ne. Prandaj, ai sot i ofendoi bashkatdhetarët tonë në diasporë duke i quajtur analfabetë. Edhe PDK-ja ka pasur në zgjedhjet e kaluara rënie votash në diasporë, por ne asnjëherë nuk i kemi ofenduar e përbuzur bashkatdhetarët tonë”, shkroi ajo.