Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 3.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19.
Kjo masë është mbështetje financiare për familjet që kanë humbur familjarin e tyre, si pasojë e infektimit me COVID-19. Në njoftimin e ministrisë thuhet se kjo është një përpjekje për të zbutur vështirësisë financiare me të cilat këto familje mund të përballen.
Në zbatim të masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19, do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 euro.
Po ashtu, MFPT ka njoftuar se mbështetje e veçantë financiare do t’u jepet edhe familjeve të punonjësve shëndetësorë, të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga koronavirusi.
Aplikimi për masën 3.1 dhe do të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzen në vijim https://masa3-1.rks-gov.net dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 nëntor 2021. Aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.
Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit.
Vlen të theksohet që pas datës 1 Tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.