Aleyna Agalar ka vetëm katër vjet që ka nisur të merret me futboll – si 12-vjeçare. Por 16-vjeçarja ka bërë ngritje të madhe në karrierë. Ajo është ftuar nga përfaqësuesja A e Kosovës për dy ndeshje të rëndësishme për kualifikim në kampionatin Evropian të vitit 2021, atë kundër Turqisë dhe gjigantes së futbollit botëror, nënkampiones së Botës dhe kampiones së Evropës, Holandës.
Përzgjedhësja e “Dardaneve”, Afërdia Fazlija, e ka arsyetuar ftesën për grumbullim. Ajo insiston se Agalar është shpresë e futbollit kosovar.
“Është me të vërtetë e re për nga mosha, por e kam përcjellë një kohë dhe më ka mahnitur si vajzë me karakter të fortë dhe dispozita ideale për një portierë, si dhe me një teknikë të mirë. Aktivizimi i saj në Ligën e Parë të Kosovës më ka bindur që ta ftoj në këtë grumbullim, duke pasur parasysh edhe mungesat e portiereve për shkaqe shëndetësore. Mendoj që është motiv shtesë për këtë lojtare të jetë pjesë e kombëtares A”, ka thënë Fazlija.
Edhe vetë Agalar thotë se do të jetë motiv për të punuar edhe më fort në të ardhmen.
Ajo pranon se nuk ka pritur një ftesë kaq të shpejtë nga përfaqësuesja A. Megjithatë, insiston se ka punuar për të arritur në këtë nivel.
“Kam punuar shumë për të ardhur deri këtu, por jo kaq shpejt, të bëhem e sinqertë”, thotë ajo portierja nga Prishtina. “Do të vazhdoj të punoj vazhdimisht që një ditë të jem portierja e parë në kombëtare, por edhe me karrierë të vazhdoj në ndonjë klub me renome në futboll të femrave”.
Futbollin thotë se e ka dashur qysh kur ka qenë fëmijë. Megjithatë, familjarët e saj nuk e kanë regjistruar deri vonë në ndonjë klub me drojën se mund ta lërë mësimin pas. Por ajo e ka bërë të kundërtën. Është nxënëse shembullore e klasës së 11-të në shkollën e mesme “Sami Frashër”, në Prishtinë.