Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës po paralajmërojnë grevë nëse deri në fund të shkurtit nuk realizohet rritje e pagave për punëtorët, ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica, duke thënë se vendimi do të merret pas shqyrtimit të pasqyrave financiare të kompanisë, raporton Ekonomia Online.
Llumnica për Ekonomia Online tha se përmes avokatit kanë kërkuar ndërmjetësim ligjor përpara se të ndërmarrin hapa drejt grevës, por se menaxhmenti i KEK-ut u është përgjigjur dialogut social dhe se takimi i fundit është mbajtur më 21 janar.
Ai shtoi se menaxhmenti ka kërkuar të pritet deri më 16 shkurt për pasqyrat financiare, në mënyrë që bashkërisht të vendosin për kërkesat sindikale, përfshirë rritjen dhe nivelizimin e pagave, veçanërisht për punëtorët e sigurimit fizik.
“Po, ne kemi kërkuar domethënë përmes palës ndërmjetësuese në këtë rast, përmes avokatit tonë, që të kemi ndërmjetësimin ligjor, të shterim mundësinë ligjore për të shkuar me hap drejt grevës, mirëpo menaxhmenti është përgjigjur dialogut social dhe kemi biseduar me 21 janar të këtij viti. Dhe ata kanë thënë që duhet të presim deri me 16 shkurt në pasqyrat financiare dhe bashkërisht të vendosim për kërkesat tona, në realitet për ngritjen e pagave, nivelizimin e pagave për punëtorë të sigurimit fizik dhe të tjerat që i kemi pasur si kërkesa. Dhe ne kemi vendosur të presim deri atëherë, pasi që po dojmë të shterim këtë mundësi. Në rast se jo, atëherë ne do të vazhdojmë me statutin sindikal, përputhje me të, veprimet do t’i bëjmë deri tek greva. Dhe realisht është e domosdoshme ngritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut sepse në aspektin e asaj, të ndërmarrjes publike por edhe private, paga e punëtorëve të KEK-ut ka mbetur e vogël krahasimisht me atë se çfarë e bëjnë punën”, tha ai.
Ai theksoi se, sipas sindikatës, paga bazë mesatare në KEK është rreth 750 euro dhe se kjo është dukshëm më e ulët krahasuar me sektorë të tjerë.
Llumnica tha se kërkesa e sindikatës është që paga mesatare të arrijë në 1 mijë e 100 euro, ashtu siç, sipas tij, ka deklaruar edhe kryeshefi ekzekutiv, duke shtuar se diferenca është rreth 350 euro.
“Po ne e kemi pasur se është diku rreth 750 euro paga mesatare e pagës bazë po flasim, jo për atë po për atë pjesë që punojnë jashtë orarit edhe për atë pjesë që punojnë punëtorët me ndërrime, po për pagën bazë po flasim. Dhe paga bazë është diku rreth 750 euro, ndërsa në sektorët tjerë është shumë më e lartë krahasimisht me KEK-un. E për këtë arsye ne shumë herë jemi në konflikt me KEK-un për arsye se ata i ndalin shumë punëtorë jashtë orarit edhe punë sekondare e e shtyjnë si pagë mesatare, gjë që nuk është reale. Se ne mund të jemi punojmë edhe jashtë KEK-ut edhe në punë sekondare dhe ata nuk mund të quajnë atë si pagë mesatare. Realisht ne pagën mesatare diku rreth 750 euro, dhe kërkojmë që pasi që kryeshefi ka thënë se paga mesatare në KEK është rreth 1100 euro, ne s’po duam me ja prish, e kemi atë kërkesë që ta bëjmë pagën mesatare 1100 euro. Dhe faktikisht është 350 euro diferenca”, tha ai.
Ai deklaroi se sindikata nuk ka dëshirë të shkojë në grevë, por se të gjitha mundësitë e negociatave dhe ndërmjetësimit janë shteruar, duke shtuar se vendimi përfundimtar do të merret në fund të shkurtit në përputhje me statutin sindikal dhe ligjin për greva.
“Po, faktikisht ne nuk kishim pasur dëshirë asnjëherë me bërë grevë, mirëpo ne i kemi shterur të gjitha mundësitë e negociatave dhe të bisedave dhe të ndërmjetësimit, edhe ndërmjetësimin ligjor. Kështu e ka refuzuar KEK-u duke u bazuar me atë se ne po dialogojmë. Dialogu duhet të ketë fund, dhe fundin e ka pasqyrat financiare. Pra në fund të shkurtit ne do të vendosim në rast se nuk ka ngritje të pagave të kënaqshme për punëtorët e KEK-ut, atëherë do të vendosim për masa sindikale që i kemi në bazë të statutit sindikal, ligjit për greva dhe ligjit për organizim sindikal”, tha ai.
Llumnica tha se në KEK punojnë rreth 4 mijë punëtorë dhe se së fundmi ka pasur pakënaqësi pas ndarjes së 200 eurove për rreth 400 punëtorë, gjë që sipas tij ka krijuar përçarje mes stafit. Ai shtoi se sindikata nuk është kundër shpërblimit të atyre që kanë punuar në tri blloqe në termocentralin Kosova A, por se sipas tij edhe punëtorët e tjerë janë pjesë e zinxhirit të prodhimit dhe meritojnë trajtim të barabartë.
Ai theksoi se për këtë rast është përgatitur edhe padi gjyqësore me qëllim që shpërblimi të shtrihet për të gjithë punëtorët.
“Janë 4000 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës. Kohëve të fundit pas dialogut një shkas për përçarje me punëtorë, që ne e konsiderojmë kështu, ka ndodhur me 23 ne me 21 kemi biseduar, pa paralajmërim me 23 shkurt janë ndarë për 400 punëtorë të KEK-ut nga 200 euro, gjë që don të krijojë përçarje. Gjoja se vendimi i tyre është se ata kanë punuar me tri blloqe në termocentralin Kosova A. Ne nuk jemi kundër asaj sepse ata e meritojnë gjithsesi, po e meritojnë edhe pjesa tjetër e cila nuk janë prekë sepse janë zinxhir”.
“E në KEK nëse nuk punon në formën zinxhirore, kudo që të këputet ajo hallkë, ndalet prodhimi i energjisë elektrike sepse në rast se nuk furnizohet me thëngjill, në rast se nuk bëhen punët që ndërlidhen me prodhimin, atëherë do të ketë edhe ndalje të prodhimit e do të ketë pasoja. Pra ne e konsiderojmë këtë që menaxhmenti ka dashur t’i përçajë punëtorët, mirëpo punëtorët për fat të mirë janë unik për ngritjet e pagave edhe për kundër kësaj dhe për këtë ndasi dhe për këtë diskriminim që është bërë ndaj punëtorëve të tjerë, avokati ka përgatitur padi gjyqësore që të bëjë në mënyrë administrative që t’i nxjerrë për të gjithë punëtorët këto mjetet”, tha ai.
Kreu i sindikatës foli edhe për kushtet e punës në KEK, duke thënë se punëtorët përballen me vështirësi të mëdha, veçanërisht në mihje, ku sipas tij mungojnë rrugët e qasjes dhe pajisjet e duhura mbrojtëse.
Ai shtoi se disa punëtorë detyrohen t’i blejnë vetë pajisjet për të mos penguar procesin e punës, ndërsa përkundër kushteve të rënda, sipas tij, vazhdojnë të kontribuojnë për prodhim të qëndrueshëm të energjisë.
“Punëtorët përballen me kushte të vështira të punës edhe po t’i kenë të gjitha pajisjet personale mbrojtëse. Ne e dimë terrenin, e sidomos nëpër mihje, atje ku nuk ka as rrugë që mund të ecë automjeti, shkojnë nëpër domethënë duke ecur, dhe nuk kanë këpuca pune, nuk kanë pajisje të mirëfillta. Ka raste kur punëtorët e rinj që i bien ato, i marrin edhe pajisjet vetë i blejnë me qëllim që mos të kenë pengesë në këtë drejtim. Dhe edhe përkundër kushteve të vështira, këta punëtorë kanë dhënë gjithçka nga vetja vetëm të ketë prodhim stabil dhe kur të shkojnë në shtëpitë e tyre të kenë energjinë domethënë prodhimin energjik”, tha ai.
