Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë ka marrë 1650 aplikime, prej të cilave 1138 personave u është pranuar statusi si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.
Kështu ka bërë të ditur kryetarja e këtij Komisioni, Leonora Selmani, pas takimit që ka pasur me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione të Kuvendit të Kosovës.
Selmani ka saktësuar se Komisioni ka mandat edhe për një vit dhe ka ftuar të gjitha viktimat që të aplikojnë, në mënyrë që t’u njihet statusi i tyre si viktimë e dhunës gjatë luftës.
“Falënderoj komisionin për ftesën dhe besoj se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, mënyrëm e trajtimit të tyre dhe nevoja e statusit të tyre si viktimë e dhunës. Komisioni ka pranuar 1650 raste prej të cilave 1138 janë të aprovuara. Presim për t’u trajtuar edhe 198 raste”.
“Këtë vit kemi mbajtur 17 takime dhe janë trajtuar 190 lëndë”.
“Komisioni ka mandat edhe një vit për aq kohë sa ka kohë për aplikim. Komisioni punon me kode dhe ftoj të gjitha viktimat të aplikojnë”, tha ajo.
E kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, ka thënë ftuar Qeverinë që ta vazhdojnë Ligjin për aplikim të grave edhe për një kohë.
“Ne tash si komision kemi obligim shtesë rastet e dhunës seksuale dhe kemi marrë punën shumë seriozisht. Kemi pritur edhe zonjën Vasfije (Godman) të jetë prezent. Ne kemi vendosur t’i bëjmë thirrje qeverisë të bëjë vazhdimin e ligjit për aplikim të grave”.
Balje iu bëri thirrje secilës grua që ka përjetuar dhunën gjatë luftës të aplikojë për njohjen e statusit.