Komisioni do t’i rekomandojë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.
Bashkimi Evropian, ka konfirmuar datën kur do të publikohet edhe raporti për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, por nuk ka dhënë detaje nëse në raport përfshihet edhe rekomandimi për liberalizim të vizave me konstatimin për përmbushjen edhe të kushtit të fundit që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Komisioni do të publikojë raportet vjetore për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë më 17 prill, duke përfshirë Kosovën”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijanqiç.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot gjatë ditës është shprehur se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave, dhe se kështu i është konfirmuar edhe në takimet e nivelit të lartë në Bruksel, shkruan informatat.com.
“Natyrisht beteja për luftën kundër korrupsionit është evidente”, është shprehur Presidenti.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur sot se BE-ja gjatë ditëve në vijim do të japë lajmin për liberalizim të vizave duke mos përmendur datë.
Ratifikimi i Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si kusht i vendosur në prill të vitit 2016 nga Komisioni Evropian para se rekomandimi t’i shkojë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
“Kjo do të lehtësojë kontaktet ndërmjet njerëzve, do të forcojë lidhjet afariste, kulturore e sociale ndërmjet BE-së dhe Kosovës,” ishte shprehur para dy vjetëve Komisioneri për Migrim dhe çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulo, derisa fliste për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Lajmin e shpejtë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, pas ratifikimi të demarkacionit e kanë pritur edhe raportuesja për këtë proces në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, dhe raportuesi për Kosovë, Igor Soltes.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë shprehur data ndryshe rreth kohës që marrin procedurat nëpër institucionet e Bashkimit Evropian, duke përmendur dhjetorin e këtij viti si kohën më të mundshme të fillimit të lëvizjes së lirë.
Ministria e Integrim Evropian, Dhurat Hoxha, ditë më parë ka premtuar më shumë fushata sensibilizuese për liberalizimin e vizave, që nuk nënkupton banim, nuk nënkupton studim, e as punësim në vendet e BE-së.