Asetet e sekuestruara të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme kapin vlerën prej 34 milionë euro, në mesin e tyre janë edhe 170 automjete të ndryshme. Kështu ka bërë të ditur kryeshef i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Rrahim Rama, gjatë një vizite në depon qendrore në fshatin Llukar, ku janë të ruajtura asetet e sekuestruara.
Kjo vizitë u bë me qëllim që të kuptohet se sa përfitime sjellin këto asete nga shitja si dhe mos-humbja e vlerës së tyre.
Kryeshef i AAPSK-së, Rama tha se vizita në këtë depo ka të bëjë me punën që e kanë bërë Prokuroritë dhe Gjykatat e Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se janë të preokupuar me ruajtjen e vlerës së aseteve.
“Ne nuk mund ta ruajmë vlerën e veturave në këtë gjendje si janë në rast se nuk na lejohet shitja e këtyre veturave, ruajtja e vlerës bëhet në atë mënyrë kur lejohet shitja në fazën e sekuestrimit. Totali i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që Agjencia administron janë 170 automjete me vlerë 34 milionë euro”, tha Rama.
Ai më tej tha se vlera devalvohet nëse nuk lejohet shitja e pasurisë. Shitjen e veturave të sekuestruara nuk po e lejojnë Gjykatat dhe Prokuroritë.
Ndërsa,Shqipdon Fazliu, Koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, tha se është bërë një punë mjaftë e madhe në drejtim të sekuestrimit të shumë aseteve.
Mirëpo ka shtuar se puna nuk është përfunduar plotësisht, sepse automjetet po degradohen, po zhvlerësohen.
“Ka një hezitim të pa kuptueshëm si nga ana e prokurorive ashtu edhe nga gjykatave për shitjen e tyre para vendimit përfundimtar”.
“Në vend se Qeveria e Kosovës të fokusojë mjetet në ndonjë projekt tjetër, mbase duhet të shpenzojë para për blerjen e veturave, kur ka mundësi që këto vetura tu jepen në shfrytëzim si Policisë Prokurorisë Gjykatave, Spitaleve, Qendrave për Punë Sociale si ndonjë institucioni apo resori tjetër qeveritar”, tha ai.