Tetëmbëdhjetë kompani në tërë territorin e Kosovës, janë angazhuar për pastrimin e rrugëve, pas reshjeve të fundit të borës, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur, Krenar Xhaferi, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.
Xhaferi ka thënë se në shtatë regjione janë nga dy kompani dhe katër të tilla janë nëpër autostrada.
“Në kuadër të shtatë regjioneve janë nga dy kompani mirëmbajtje që i bie janë 14 kompani dhe katër kompani mirëmbajnë autostradat, që i bie janë 18 kompani gjithsej. Ka funksionuar shumë mirë, jemi 24 orë në teren dhe tereni është shumë i sigurt. Ne jemi tërë kohën në teren dhe sa flasim tani, kompanitë janë duke e mirëmbajtur rrugët”, ka thënë ai.
Xhaferi për Ekonomia Online, ka thënë se kompanitë që funksionojnë në kuadër të këtij dikasteri janë të liruar nga “ora policore”. Ka thënë se funksionojnë 24 orë për të bërë pastrimin e rrugëve në tërë Kosovën.
“Ne jemi të liruar prej orës sigurisë. Kompanitë funksionojnë tërë kohën, gjatë natës dhe gjatë ditës, kështu që jemi në teren 24 orë për të pas rrugë në nivelin e duhur. Realisht, ne para dy dite kemi urdhëruar gjitha kompanitë që të fillojnë pastrimin e rrugëve regjionale”.
“Në gjitha rrugët do të ketë pastrim të rigollave, të gjitha pjesëve të cilat janë në kuadër të kontratave ekzistuese, që janë në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit dhe kjo do të funksionojë menjëherë pas largimit të borës. Do të kemi fushatën e pastrimit në gjithë rrugët regjionale në nivel të Kosovës dhe kjo do të jetë në funksion të pandemisë, pastrimi i rrugëve regjionale”, ka thënë ai.
Një sfidë që po përballen është edhe dëmtimi ose vjedhja e anësoreve nëpër rrugë të ndryshme. Por që thotë se në bazë të kontratës që kanë me kompanitë, anësoret e dëmtuara ose të vjedhura do të zëvendësohen menjëherë, raporton EO.
“Të them të drejtën, dje anësorët i kemi ndërruar në pjesën e Fushë-Kosovës sepse aty mund të ketë aksidente të caktuara dhe ato mund të dëmtohen, por kontratat i kemi aktive. Ne ftojmë gjithë qytetarët që të na shënojnë, ku do që kanë vërejtje dhe ne do të jemi së bashku me ta. Ne në kuadër të fushatës që do ta ndjekim, i kemi edhe pastrimin e anësorëve, pastrimit të brezit rrugorë dhe gjitha këto do të jenë pjesë e fushatës sonë të cilën do ta ndjekim pas kësaj periudhe”.
“Ka pasur raste kur janë vjedh por këto realisht kudo që mungojnë, ne jemi aty për me i vendosur dhe në këtë periudhë sa jemi ne nuk ka pasur ndonjë informacion të tillë, por kudo që mungojnë dhe dëmtuar, jemi aty për t’i vendosur për të krijuar një siguri tek qytetarët”, ka thënë ai.