Në rajonin e Ferizajt, për një muaj janë shënuar 18 raste të dhunës në familje, raporton Ekonomia Online.
Sipas Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, në muajin maj 2024, pati më pak raportime të dhunës në familje se sa në të njëjtin muaj të vitit 2023.
“Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj gjatë muajit maj 2024 janë raportuar 18 raste të dhunës në familje, prej tyre, në Ferizaj 12 raste, në Kaçanik 3 raste dhe në Shtime 3 raste. Ndërsa në muajin maj të vitit 2023 ishin të raportuara 22 raste të dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se të gjitha rastet e dhunës në familje i ka trajtuar në mënyrë profesionale nga policët primarë të stacioneve të policisë dhe me hetuesit rajonal të Njësisë së Dhunës në Familje nga Sektori Rajonal i Hetimeve.
“Policia Rajonal e Ferizajt apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, theksohet në njoftim.