Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me dënim unik prej 19 vjet e 6 muaj burgim të akuzuarin Shpejtim Knushi për vrasjen e M.J., në korrik të vitit 2022.
I akuzuari Knushi, ngarkohej se ka vrarë M.J., pas një mosmarrëveshje për heqjen e kabllos elektrike nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Knushit u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.
Për veprën e parë penale “Vrasje”, i akuzuari u dënua me 19 vjet burgim, ndërsa për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, u dënua me 1 vit burgim.
Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 19 vjet e 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 4 korriku 2022. Dënimin me burgim, i akuzuari do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I akuzuari Knushi gjithashtu u obligua për pagesat e shpenzimeve procedurale në shumë prej 500 euro, për paushallin gjyqësor 100 euro, si dhe fondin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Konform nenit 366, par.3 të KPRK-së, arma e llojit pistoletë TT, një karikator dhe 6 fishekë të të njëjtës armë dhe një këllëf, konfiskohen dhe urdhërohen që pas plotfuqishmërisë së akgjykimit të shkatërrohen.
Të akuzuarit iu vazhdua edhe masa e paraburgimit, e cila masë do t’i zgjasë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Pala e dëmtuar lidhur me kërkesën pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri Shpejtim Knushi, ngarkohej se më 4 korrik 2022, rreth orës 21:20, në fshatin Dujakë, Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.
Sipas aktakuzës, shkaku i vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kablloje elektrike nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë. Pas fjalosjes mes vete, në një moment i pandehuri kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 metrash, shtie fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.
Për këto ai ngarkohej për veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.