Kur në verë të vitit 1914 u shpall Lufta e Parë Botërore, tërë Evropa u gëzua dhe festoi. Politikanët dhe shtypi i atëhershëm e kishin krijuar atmosferën e luftës dhe ndjenjën e fitores së shpejtë. Të gjithë ushtarët mendonin se për Kërshëndella, pas disa muajve, do të ktheheshin në mënyrë triumfuese dhe heroike për të festuar në sheshet e qyteteve të tyre. Por, ndodhi e kundërta. Lufta zgjati katër vite dhe me përgjakshmërinë e saj mori jetën e miliona të rinjve që u nisën të gëzuar se do të ktheheshin shpejt.
Filmi ‘1917’ mëton ta paraqes se sa e pakuptimtë ka qenë kjo luftë, në të cilën, vite me radhë, vija e frontit shtyhej vetëm për disa metra, herë në njërën e herë në fushën tjetër të palës ndërluftuese armiqësore. Kjo nuk është diçka e re në kinematografi pasi që shumë filma deri tashti e kanë trajtuar këtë temë. Por, e veçanta e filmit ‘1917’ është se tragjedia e luftës paraqitet e thjeshtësuar por me të njëjtin efekt. Një e veçantë edhe më dalluese është puna teknike e bërjes së filmit. Puna me kamerë është elementi që e bënë këtë film të cilësuar dhe që e vendos mbi tjerët që i kemi shikuar deri sot. Një teknikë të ngjashme e ka përdorur regjisori rus Mikhail Kalatozov në filmin ‘Я Куба’ (Unë jam Kuba) që është gjiruar në teknikën bardh e zi në vitin 1964. Por, ky film për objekt ka turmat e njerëzve dhe përmban disa tregime që rrëfejnë jetën e kubanezëve para periudhës komuniste. Për dallim, ‘1917’ duket se i tërë filmi është një skenë dhe një tregim i filmuar nga afërsia. Ngjarja vizuelisht është lineare apo lëvizje e një segmenti të drejtë nga një pikë në tjetrën që është fillimi dhe mbarimi i filmit. Nuk ka kthim prapa. Asnjë akt nuk ndodhë dy herë në të njëjtën skenë. Gjithçka zhvillohet në lëvizje, në perspektivë dhe brenda kuadrit të pamjes së re.
Skena e hapjes është një lis diku në Francë, nën të cilin pushojnë (flejnë) dy ushtarë britanikë, Schofield (MacKay) dhe Blake (Chapman), të cilët janë të rinj si ushtarë por edhe si aktorë. Zgjimi i tyre është fillimi i filmit (ngjarjes). Ata urdhërohen që ta dërgojnë një letër me urdhër për Batalionin e Dytë të Regjimentit të Devonshirit. Ky batalion është duke u përgatitur për sulm me 1600 ushtarë të komanduar nga gjenerali (Colin Firth), i cili mendon se i ka ardhur rasti që ta vërtetoj aftsinë e tij strategjike ushtarake. Urdhëri nga shtabi është që të mos ndodhë sulmi për shkak se gjermanët e dëshirojnë mu këtë veprim pasi që kanë krijuar kurthë për ta asgjësuar tërë këtë njësi britanike.
Rruga e bartjes së letrës që bëhet nëpër hendeqe, shtigje dhe pengesa me gjemba, paraqet rrëfimin e tmerrit që ka krijuar lufta. Kërshëria dhe ndjenjat e shikuesit shtohen me zgjatjen e filmit. Filmi shikohet duke i kafshuar thonjtë (nail-biting), siç thonë anglezët. Fushat janë të mbushura me kufoma dhe me rreziqe të pritura e të papritura. Ushtari Blake dëshiron të arrij në cak edhe për shkak se atje e ka vëllaun. Por, ai vritet në gjysmë të rrugës. Madje, vritet nga piloti gjerman të cilit dëshiron t’i ndihmoj pas rënies së aeroplanit të tij. Schofield vazhdon rrugën me dhembjen për humbjen e shokut të luftës, e cila dhembje thuhet se nuk kuptohet nga ata që nuk e kanë provuar.
Pas gjithë vështirësive të një odiseje homerike dhe përkundër të gjitha parashikimeve, ushtari e mbërrin cakun dhe e dorëzon letrën. Ai e kryen detyrën dhe ulet për të pushuar nën një lis. Por, ushtari është i vetmuar, pa shokun e tij. Simbolikisht ky është segmenti i udhëtimit: nga pika fillestare në atë përfundimtare apo nga një lis në tjetrin. Ky është udhëtimi linear i kamerës që e shënon ngjarjen për të cilën gjë regjisori ka bërë një lloj çudie në këtë film.
Regjisori, skenaristi dhe aktorët meritojnë lëvdata për punën e shkëlqyeshme. Filmi është duke u vlerësuar lart nga kritikët, fakt që shërben për hapjen e rrugëve për Oscar. Tek e fundit, regjisori Sam Mendes është i njohur për filma të mirë, siç është ‘Spectre’ (James Bond) dhe shumë të tjerë përfshirë ‘American Beauty’ për të cilin është shpërblyer me Oscar.
Regjisori është inspiruar nga tregimi i gjyshit të tij (Alfred Mendes), i cili gjatë kësaj lufte, duke përjetuar vështirësi dhe rrezik, ka bartur një letër të karakterit që flitet në film.