Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ai i Mbrojtjes Lloyd Austin do të vizitojnë Kievin të dielën, tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
“Nesër, zyrtarët amerikanë do të vijnë për të na vizituar. Unë do të takoj sekretarin e mbrojtjes (Lloyd Austin) dhe Antony Blinken,” u tha Zelenskyy gazetarëve të shtunën.
Presidenti ukrainas nuk dha detaje të mëtejshme rreth vizitës së mundshme.
Do të ishte vizita e parë zyrtare nga zyrtarë të qeverisë amerikane që kur filloi agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë të shtunën lidhur me vizitën e mundshme. Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu refuzoi koment.
Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të pranojnë të jenë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës për ta mbrojtur atë nga kërcënimet e ardhshme.
Zoti Zelenskyy tha se ai priste rezultate konkrete, përfshirë një marrëveshje për të ofruar më shumë armë.
Zoti Zelenskyy për javë të tëra u ka kërkuar aleatëve perëndimorë që t’i dërgojnë Ukrainës më shumë armë për t’i bërë ballë agresionit rus./VOA