Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që nga fillimi i pandemisë 20 gra shtatzëna kanë rezultuar të infektuara me COVID-19.
Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka treguar se janë dy foshnja që kanë lindur e që janë diagonostifikuar me COVID-19.
Krasniqi në televizionin Dukagjini, ka thënë se që prej se kur është shfaqur virusi COVID-19, Klinika e Gjinekologjisë ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me koronavirus.
“Habitem sesi njerëzit të cilët punojnë në QKUK kanë harruar faktin se në gjinekologji që nga fillimi i pandemisë janë trajtuar femrat shtatzëne që kanë qenë të infektuara. Kanë lindur 20 gra shtatzëne me COVID-19 aktiv në momentin e lindjes. Klinika e Gjinekologjisë që nga fillimi ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me COVID-19 pozitiv dhe kemi pasur 2 foshnje që kanë lindur ose janë diagnostifikuar menjëherë pas lindjes me COVID-19”, tha Krasniqi.
Po ashtu ai ka theksuar se gjatë kësaj kohe të gjithë pacientët të infektuar apo të dyshuar me COVID-19, kanë marrë shërbime mjekësore dhe se asnjë pacientë nuk ka vuajtur për mungesë të respiratorëve apo mungesë të oksigjenit.