200 mijë € për Qendrën për Persona me Aftësi të Kufizuara në Mitrovicë

Mitrovicë | 22 Gus 2017 | 14:58 | Nga

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, dhe drejtori i “Handikos”, Afrim Maliqi, nënshkruan sot marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Mitrovicës Jugore – Handikos”.

Ky projekt ka vlerë parallogaritare prej 200 000 euro. MPMS nga buxheti vjetor i planifikuar për vitin 2018 financon këtë projekt në shumën prej 100 000 €, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga Handikos-i.

Ministri i MPMS-së, Kamberi, tha se fokusimi i ministrisë do të jetë permanent në përmirësimin e kushteve të jetës për personat me aftësi të kufizuara.

“Ne do të japim kontributin tonë në vazhdimësi që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë, qoftë me projekte, qoftë me ofrimin e kushteve dhe integrimin dhe trajtimin e tyre të barabartë në shoqëri. Përkushtimi ynë nuk do të mungojë, varësisht prej kushteve dhe mundësive buxhetore”, u shpreh ministri në detyrë.

Kurse, drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, ka falënderuar ministrin Kamberi për bashkëpunimin, duke shtuar se në shumë segmente, Kosova rangohet mbi rajonin, në ofrimin e kushteve dhe trajtimin e kësaj kategorie në shoqërinë kosovare.

Ai u shpreh optimist se në të ardhmen gjendja e personave me aftësi të kufizuara do të avancohet edhe më shumë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme