Duhej të ishte viti i ndryshimeve të mëdha për Kosovën. Por, viti 2020, ashtu si edhe për të gjithë botën, rezultoi të ishte një periudhë tepër e vështirë. Nga politika, pandemia, gjyqet e Gjykatës Speciale e deri te dialogu me Serbinë, 365 ditët e kaluara të Kosovës ishin mjaft të trazuara.
POLITIKA
Pas shumë negociatave, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje arritën një marrëveshje për bashkëqeverisje, në atë që u paraqit si koalicion i shpresës me një mazhorancë të plotë. E pagëzuar si qeveria e ndryshimeve të mëdha, shpejt do të sigurohej që të pakësonte shpenzimet, të cilat kryeministri Albin Kurti i konsideronte të tepërta: “Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra. Kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh, pasi është qeveria më e vogël”.
Isa Mustafa shprehej: “Ne kemi arritur marrëveshje, e vlerësojmë që është një marrëveshje e mirë në dobi të Kosovës, e ndryshimeve që domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”.
Koalicioni në dukje i fortë, por mjaft i brishtë në organikë, do të vihej në provë shpeshherë. Taksa 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia do të sillte shkëndijën e parë. Kurti kërkonte zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit të plotë, ndërsa LDK-ja nxiste për heqjen e plotë të saj, ashtu siç kërkonin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të shënonte një krisje të thellë mes aleatëve qeverisës. Vetëvendosje nuk bënte lëshime në qëndrimin e saj, ndërsa LDK e Isa Mustafës anohej gjithnjë e më shumë në kahun e kundërt, atë të SHBA-së. Gjatë periudhës së shkurtit, në një takim për Ballkanin Perëndimor në Konferencën për Siguri të Mynihut, Kurti pati dhe përballjen e parë dhe të vetme me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cila rezultoi të ishte mjaft e ashpër. Qasja e tij duket se nuk i pëlqeu shumë komunitetit ndërkombëtar, që shtoi presionin ndaj LDK-së për të tentuar zbutjen e këtyre qëndrimeve. Kurti bëri një lëshim të vogël, duke paraqitur vullnet të mirë karshi Serbisë me pezullimin e taksës dhe i kërkoi fqinjit që të ndalonte fushatën e tërheqjes së njohjeve për Kosovën dhe heqjen e pengesave tregtare.
Megjithatë, përplasjet brenda koalicionit qeverisës të Prishtinës vijonin dhe këtë herë ishin bërë akoma dhe më të drejtëpërdrejta. Pandemia koronavirus ishte një tjetër temë që do të sillte Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës përballë njëra-tjetrës. Ishte pikërisht masa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që do të vuloste fundin e këtij koalicioni, qeverisja e të cilit zgjati vetëm 3 muaj. Kurti e mbështeste këtë masë, por ministri i Brendshëm nga radhët e LDK, Agim Veliu, e kundërshtoi hapur atë. Kjo solli shkarkimin e tij. LDK u kundërpërgjigj me një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, ku bënte pjesë dhe vetë, që mori 82 vota pro në Kuvend, duke çuar kështu vendin në një udhëkryq me vetëm dy drejtime: zgjedhje të reja apo formim i një koalicioni të ri.
Kurti deklaronte: “Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq, kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Grenell: “Në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.
LDK dukej se i kishte llogaritë e qarta dhe shfrytëzoi një hapësirë kushtetuese për të ndërtuar një koalicion të ri. Vetëvendosje e kundërshtonte këtë dhe kërkonte zgjedhje të parakohshme, megjithatë Presidenti Hashim Thaçi i caktoi Avdullah Hotit mandatin e kryeministrit për të formuar ekzekutivin e ri, pas marrjes së opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Në bashkëpunim me AAK, Nisma, AKR, partitë parlamentare të komunitetetve joshumicë, përfshirë Listën Serbe, LDK arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për të marrë kështu bekimin e Parlamentit, më 3 qershor.
Vendimet e para të qeverisë së kryeministrit, Avdullah Hoti, do të ishin pikërisht për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar. Vetëm pas 3 ditëve në detyrë, do të hiqte plotësisht masën e reciprocitetit të vendosur nga paraardhësi Kurti ndaj Serbisë. E për këtë, Hoti pranoi se kishte një dakordësi me ndërkombëtarët, që tani e tutje presionin ta ushtronin vetëm ndaj Beogradit: “Prioritetet tona janë përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtarë, marrja përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim dhe në shëndetësi”.
Mënyra se si rrodhën ngjarjet nuk i pëlqeu aspak Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit dhe kandidate për kryeministre e LDK-së në zgjedhjet e fundit: “Një qeveri e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe, që do të thotë nga Beogradi, dhe së cilës votën e 61-të ia siguroi presidentit Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues, asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar. Familja ime politike asnjëherë nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë Hashim Thaçi”.
Kjo do t’i kushtonte shumë Osmanit, saqë LDK mori vendim që ajo të mos jetë më pjesë e partisë. Por, koha do t’i jepte asaj të drejtë, të paktën në pjesën e brishtësisë apo funksionimit të kësaj qeverie. Të shumta ishin seancat ku koalicioni nuk arrinte të siguronte shumicën e votave. Shembulli më i fundit ishte aprovimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike, për të cilin u deshën plot 9 seanca. Megjithatë, fundi i kësaj qeverie do t’i vinte po në të njëjtën mënyrë siç mori jetë, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pas vetëm 200 ditëve qeverisje, më 21 dhjetor, ky institucion vlerësoi se qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, në votimin e 3 qershorit 2020. Vota e Ethem Arifit u shpall u pavlefshme, pasi ai nuk mund të ushtronte detyrën e deputetit sepse kishte një dënim gjykate të formës së prerë. Kjo çoi Kosovën sërish në zgjedhje të parakohshme.
PANDEMIA
Ashtu si në çdo anë të planetit, edhe në Kosovë, pandemia koronavirus pati një ndikim tepër të madh. Por, ky shtet ishte ndër të fundit në rajon që raportoi rastin e parë, i cili u konfirmua më datë 13 mars. 10 ditë më pas do të vinte dhe viktima e parë nga Covid-19. Nga dita në ditë shtoheshin ndjeshëm dhe shifrat e pandemisë, gjë e cila solli kufizime. Fillimisht, duke vendosur orare për qarkullimin e qytetarëve e deri te shtetrrethimi. Por, kjo metodë nuk dukej të funksiononte dhe për pasojë vendoste sistemin shëndetësor në vështirësi.
Rastet kaluan nga dhjetëra në qindra, duke bërë që izolimi i Kosovës të ishte i pashmangshëm. Bllokimi total do të vinte më datë 15 prill, si një masë më e fortë për të frenuar valën e përhapjes së koronavirusit, që ishte në nivele tepër të larta.
Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, shprehej: “Duhet theksuar se shumica e qytetarëve do të kenë vetëm këtë mundësi të dalin nga shtëpia, një herë në ditë, për 1 orë e gjysmë, për të kryer furnizimin me mallra të domosdoshme, si dhe detyrat dhe nevojat financiare”.
Nga përmirësimi i situatës, por edhe për shkak të vështirësive të mëdha të bizneseve, këto kufizime do të lehtësoheshin me 3 faza nga maji deri në qershor: “Përkundër progresit, nuk e kemi zhdukur virusin. Nuk do të kemi situatë normale këtë vit dhe sa më parë që e kuptojmë këtë, do të jetë më e lehtë që ta kalojmë sa më shpejt. Nuk do të ketë ditëlindje me miq, fejesa e martesa e ndoshta as ceremoni mortore. Viti i distancës prej 2 metrash, i dorezave dhe maskave”.
Pandemia koronavirus do të përdorej edhe për qëllime politike, që solli dhe rrëzimin e qeverisë Kurti. Një tjetër kryeministër mori detyrën në qershor. Kabineti i Avdullah Hotit do të vinte me synimin për t’i garantuar qytetarëve mbrojtje dhe rimëkëmbje ekonomike.
“Ne si qeveri e kemi si pjesë të programit pakon e masave të rimëkëmbjes ekonomike dhe me rishikim të buxhetit e kemi krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike. Tashmë, në periudha afatshkurtër do të punojmë bashkë me ju që të implementojmë këtë pako për rimëkëmbje ekonomike”, shprehej Hoti.
Kur u mendua se më e keqja e kësaj pandemie ishte lënë pas, në fakt ishte e kundërta. Përpara se të adresonte krizën ekonomike, qeverisë iu desh të përballej me një shtim në nivele rekord të përhapjes së koronavirusit. Përgjatë verës u raportuan deri në 500 infektime ditore dhe dhjetëra humbje jetësh, gjë e cila erdhi pas zbutjes së kufizimeve dhe rikthimit të qarkullimit të qytetarëve në Kosovë. Kjo detyroi kabinetin e Hotit të rikthente disa masa për luftimin e pandemisë dhe vendosi që përdorimi i maskës të bëhej me detyrim në ambiente publike.
Sistemi shëndetësor i Kosovës ishte ai që vuante këtë rritje të nivelit të përhapjes së Covid-19. Ekspertët e shëndetësisë nuk përjashtonin mundësinë e kolapsit, mes thirrjes së zakonshme për respektimin e masave dhe distancimin shoqëror. Në ditët më të vështira, Kosova ka raportuar deri në 1 mijë raste ditore. Megjithatë, të dy kryeministrat që shërbyen gjatë pandemisë, Kurti dhe Hoti, pretendojnë se Kosova është ndër vendet që kanë menaxhuar më së miri pandeminë në botë. Shifrat, që prej fillimit të përhapjes së koronavirusit, janë mbi 50 mijë të infektuar dhe mbi 1200 jetë të humbura.
GJYQET E SPECIALES
Gjykata dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që merren me shqyrtimin e akuzave për krime lufte dhe kundër njerëzimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trazoi jo pak ujërat në politikën e këtij vendi. Fillimisht, qasja e këtij organi drejtësie, i ngritur nga Parlamenti me kërkesë të ndërkombëtarëve, do të ishte e butë, por publikimi i disa dosjeve hetimore bëri që të ndryshojë sjellje. Kjo u pa teksa vuri në lëvizje dhe forcat speciale të EULEX-it për të arrestuar kreun e Organizatës për Veteranët e Luftës të UÇK-së.
Nën shqyrtim ishin dhe disa aktakuza të tjera për figura të rëndësishme historike dhe politike të Kosovës si presidenti Hashim THaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Konfirmimi i aktakuzës nga Gjykata Speciale erdhi më 5 nëntor: 4 ish-anëtarët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Kjo solli dhe kosto politike, shkëputjen e tyre nga të gjitha angazhimet publike.
Për të shmangur skenat e arrestimeve me forca speciale të EULEX-it, ata vendosën që të shkonin vullnetarisht në Hagë për t’u përballur me Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale. Në Kosovë, dorëheqja e Thaçit la një boshllëk të rëndësishëm, i cili u mbush nga Vjosa Osmani. Sipas Kushtetutës, në rast se Presidenti përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë, ai ia kalon detyrat e tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi qenë viktimë e hegjemonisë së një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë këtu dhe në çdo vend tjetër. Si ushtruese e detyrës së presidentes do të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruaj kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e Kosovës dhe miqtë e saj”, tha Osmani.
Më 9 nëntor, Gjykata Speciale mbajti seancën e parë ndaj ish 4 anëtarëve të UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa patën kritika dhe reagime emocionale në sallë.
“I nderuari gjykatës, akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, deklaroi Thaçi.
Kadri Veseli u shpreh: “I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.
“Unë do ta mbaj dhe këtë padrejtësi”, u shpreh Jakup Krasniqi.
Ndërsa Rexhep Selimi tha: “Zakonisht, e deklaroj atë që e ndjej: deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.
Të gjithë deklaruan se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e drejtë dhe motivi i vetëm ishte liria. Avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga paraburgimi, por që nuk u pranua. Në një seancë tjetër, Prokuroria Speciale kërkoi që gjyqi kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit të nisë në verën e vitit 2021 dhe njoftoi se disponon një material me mbi 40 mijë faqe, ku përfshihen prova, intervista, deklarata të dëshmitarëve, materiale audio dhe video si dhe mbi 150 dëshmitarë. Por, avokatët mbrojtës kundërshtuan këtë propozim duke theksuar se nuk kanë kohë mjaftueshëm që të kontrollojnë dhe të verifikojnë provat apo faktet e mbledhura. Ata kërkuan që gjyqi të niste verën e vitit 2022. Kundërshtitë mes Prokurorisë Speciale dhe avokatëve mbrojtës vijuan edhe në seancat e radhës, por një vendim për datën e gjyqit nuk është marrë.
DIALOGU ME SERBINË
Dialogu me Serbinë ishte një tjetër pikë që shënoi 2020-n e Kosovës. Gjatë qeverisë Kurti nuk pati asnjë zhvillim në këtë drejtim, por bisedimet do të zhbllokoheshin vetëm nga ekzekutivi Hoti, pas një pauze gati 2-vjeçare. Pas heqjes së të gjithave atyre që Beogradi i konsideronte pengesa, rikthimi në tryezë do të ishte tepër i ngadaltë. Në këtë proces, u përfshi Franca dhe Gjermania, që tentuan të ulnin tensionet mes palëve. Në mesin e korrikut, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, u takuan në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së jashtme të BE-së, Joseph Borell, dhe përfaqësuesit special për dialogun, Miroslav Lajçak. Qeveria e Prishtinës prezantoi dhe platformën me të cilën synonte të arrinte një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Synimi, sipas Hotit, ishte njohja reciproke, ose në të kundërt dialogu përfundon pa marrëveshje.
Hoti shprehej: “Parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: e para, integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. Unë nuk kam mandat që të hap këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Pas Brukselit, palët do të zhvendoseshin në Uashington. Aty u “gatua” një marrëveshje me 16 pika, e konsideruar historike, me fokus normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Firmëtarët ishin presidenti amerikan, Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Ata kanë punuar në këtë drejtim për shumë vite, aktualisht dekada, pas historisë me incidente tragjike e të dhunshme dhe vite negociatash të dështuara, administrata ime propozoi mënyra të reja për të ngushtuar diferencat duke u fokusuar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Të dyja shënuan një arritje të madhe, diçka të cilën askush nuk e mendonte të mundur”, thoshte Trump.
Ujdia për pak sa nuk solli rrëzimin e qeverisë në Prishtinë, për shkak të pikës për shfrytëzimin e ujit të liqenit të Ujmanit, të kundërshtuar nga AAK e Ramush Haradinaj. Për të sqaruar këtë pikë, u angazhua menjëherë Hoti: “Jemi dakorduar që të bëhet një studim fizibiliteti”.
Madje u pranua dhe ndryshimi i emrit të Ujmanit në Liqeni ”Donald Trump”. Pjesë e marrëveshjes ishte një pikë që i kërkonte Kosovës të bëhej pjesë e Minishengenit Ballkanik. Serbia, nga ana tjetër, angazhohej në ndalimin e fushatës për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës.
Bashkimi Europian tentoi të shfrytëzonte këtë moment të mirë për të përmbyllur dialogun me një ujdi gjithëpërfshirëse. Kosova ishte gati, por Serbia jo. Këtë do ta tregonte me pretekstet që ngriti, duke bllokuar bisedimet me kërkesën ndaj Kosovës për të implementuar akordin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. I emëruari special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, tentoi që të sillte palët sërish në tryezë me një vizitë në Prishtinë dhe Beograd, por dha një deklaratë në përmbyllje të saj që nxiti jo pak reagime: “Asnjë prej bashkëbiseduesve në Prishtinë nuk më tha se nuk do të përmbushte detyrimet. Në fakt, në të gjitha takimet u bë e qartë se ajo që është pranuar dhe premtuar duhet të zbatohet, përfshirë asociacionin e komunave serbe. Sa i përket Kushtetutës, është logjike që ajo duhet të ndryshojë. Askush të mos më thotë se është e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibla”.
Përballja e radhës do të ishte më 22 tetor, kur në mënyrë virtuale Hoti dhe Vuçiç do të kishin një përballje me tone të ashpra në Forumin e Sigurisë të Beogradit. Kryeministri i Kosovës kërkoi njohje reciproke, ndërsa presidenti serb, i irrituar, kërkoi që të mos flitet kurrë më për dy shtete, pasi, sipas tij, ekziston vetëm një.
Dialogu vijoi vetëm në nivel ekspertësh dhe jo liderësh. Ekipet respektive diskutuan për një sërë temash si ajo e të pagjeturve dhe e dëmshpërblimit financiar. Sërish për Kosovën ka ardhur koha e përmbylljes së bisedimeve me njohje reciproke ose pa marrëveshje brenda pak muajve. Nga ana tjetër, Serbia kërkon të fitojë kohë. Vuçiç është i bindur se të paktën deri në vitin 2022, Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Kjo nënkupton që të paktën për Beogradin, dialogu nuk do të përfundojë shpejt…
Kështu, Kosova përmbylli një vit tepër të trazuar, por as e ardhmja nuk duket e qetë. Në 2021, do të ketë mjaft zhvillime duke nisur nga zgjedhjet e reja parlamentare, zgjedhja e Presidentit të ri, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe mposhtja e pandemisë koronavirus, detyra që nuk janë aspak të lehta.