Mbrëmja e 28 janarit ishte fatale për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Sami Thaqi. Gjatë një bastisje në fshatin Zhur të Prizrenit, ai vdiq tragjikisht. Gjithçka ndodhi pas një shpërthimi, rrethanat e të cilit mbeten ende mister.
Emri i Sami Thaçit do të shënohet në arkivën e institucionit të Policisë së Kosovës, si një nga pjesëtarët e rradhës që vdes në krye të detyrës, shkruan lajmi.net.
Shpërthimi që ndodhi gjatë një bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, shkaktoi mbrëmë plagë të rënda për pjesëtarin e policisë, Sami Thaçi, i cili më pas ndërroi jetë.
E Thaqi është pjesëtari i 21-të i Policisë së Kosovës i cili që nga paslufta vdes në krye të detyrës.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se numri i zyrtarëve të rënë në detyrë, që nga paslufta është 20, pa përfshirë edhe rastin e mbrëmshëm.
“Sa i përket interesimit tuaj u njoftojmë se: numri i zyrtarëve policorë të rënë në detyrë është 20 zyrtarë policorë”, thuhet në përgjigje.
Ajo që është sfidë e mëtutjeshme për institucionet e sigurisë, është përkujdesja për familjet e të rënëve në detyrë, disa nga të cilët jetojnë në kushte jo aq të mira financiare.
Valbona Kamberi, nga sindikata e Policisë së Kosovës, për lajmi.net thotë se çdo familje e policëve të rënë në detyrë e ka të drejtën e pensionit.
Ajo thotë se ka pasur edhe mjete të ndara sipas vendimit të ministrit të brendshëm, mirëpo vështirësia është e theksuar për shkak edhe të pamundësisë dhe gjendjes së rëndë financiare në Kosovë.
“Çdo familje e policëve të rënë në detyrë e ka të drejtën e pensionit. Ka pasur mjete të ndara edhe për fundvit sipas vendimit të drejtorisë së Përgjithshme por edhe të ministrit të Puneve të Brendshme, gjithmonë pra kur është gjetur mundësia për ndonjë donacion, kanë pasur prioritet ato familje, edhe pse në kohët e fundit nuk ka mundur të realizohet ajo, por herave të tjera gjithmonë është bërë”, ka thënë Kamberi për lajmi.net.
Kamberi thotë se sindikata që ajo udhëheq, është gjithnjë në kontakt me ato familje, për nevojat që ata kanë, dhe në bazë të mundësive, edhe iu ndihmojnë.
“Sa i përket aspektit sindikal, ne jemi gjithmonë në kontakt me ato familje, për çdo nevojë që ato kanë edhe shëndetësore edhe ndonjë kërkesë tjetër, jemi në gjendje t’u ndihmojmë atyre familjeve, pavarësisht se disa nga ato familje kanë kushte të mira ekonomike”, thotë tutje ajo.
Mirëpo ndihmesa e bazuar në donator dhe në mjete të ndara herë pas here nuk është se iu kryen punë shumë familjeve të policëve të rënë në detyrë.
Kamberi thotë se këto familje kanë nevoja të shumta socio-ekonomike, dhe në këtë formë mjetet të cilat atyre u ndahen nuk janë të mjaftueshme asnjëherë.
“Mjetet nuk janë të mjaftueshme asnjeherë, sepse familjet kanë shumë nevoja ekonomike dhe sociale, mirëpo duke e pasur parasysh që ai fond që ekziston është ndarë për këto familje. Pra a ka qenë vlerë e madhe apo vlerë e vogël, do të thotë është ndarë si lloj shpërblimi apo mbështetje financiare. Ne cdo organizim që e kemi bo për grumbullimin e mjeteve, i kemi ndarë proporcionalisht për këto familje edhe pse kohëve të fundit na kanë munguar këto fonde për shkak të gjendjes sociale në Kosovë”, ka thënë Kamberi.
Në të kundërtën, Kamberi thotë se këto familje ndihmohen edhe me iniciativa private.
“Ata që kanë shprehur gatishmëri janë drejtuar direkt tek familja me sa kanë pasur mundësi të japin. Ne i vizitojmë vazhdimisht këto familje, megjithatë kjo është mundësia që aktualisht ka Policia e Kosovës”, thotë Valbona Kamberi nga sindikata e Policisë së Kosovës.
E nga institucioni i Policisë, për lajmi thonë se e gjithë kjo çështje është e rregulluar me nenin 48 të Ligjit të Policisë.
“Po ashtu trajtimin e familjes së zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë ose zyrtarit policor i cili vdes në kryerje të detyrës, janë të rregulluara me Ligjin e policisë (po ashtu është publik), neni 48”, thonë nga Policia e Kosovës.
Sidoqoftë, Policia e Kosovës si njëri ndër institucionet më të besueshme dhe kredibile të vendit, i cili është i ekspozuar ndaj një rreziku të përhershëm, përballet me problematika të shumta.
Një ndër to, është edhe sigurimet shëndetësore, temë kjo e kahmotshme në Republikën e Kosovës.
Lajmi.net pati realizuar vitin e kaluar një reportazh për rënien në detyrë të policit, Malsor Dashi.
Ky i fundit, bashkë me kolegun e tij, Armend Trena, pas një aksidenti trafiku me veturë zyrtare të Policisë, patën rënë në lumin Lepenc, ku edhe kishin gjetur vdekjen.
Disa kohë pas rënies së tij, ishin vetë familjarët ata që me mjete vetanake, kishin ndërtuar një pllakë përkujtimore tek varri i ish-policit Armend Trena.