Një ngjarje e trishtë ka ndodhur javën e kaluar në fshatin Sllatinë e Epërme të Vitisë, ku një 21-vjeçar dyshohet se e ka dhunuar një 13-vjeçare. Gjithçka ndodhi gjatë ditës së 21 marsit, kur i dyshuari e mori të miturën, me të cilën ka lidhje familjare dhe kryen marrëdhënie seksuale. Ngjarja u kuptua tek pasi vajza shkoi në shtëpi dhe nëna e saj kishte dyshime se çfarë kishte ndodhur me të. Ndaj të riut është bërë kërkesë për masën e sigurisë, e cila është aprovuar nga Gjykata dhe i njëjti është dërguar në paraburgim për një mua.
Sinjali ka mësuar se si ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme dhe ju sjellë detajet.
Sipas Prokurorisë, gjatë ditës së 21 marsit, 21-vjeçari (emër i njohur për redaksinë) dyshohet se e ka dhunuar 13-vjeçaren në një automjet.
I riu fillimisht dyshohet se e joshi të miturën për të kryer marrëdhënie seksuale, në atë mënyrë që e merr veturën e babait të tij dhe me vajzën shkojnë në periferi të fshatit Sllatinë e Epërme. Në atë fshat, 21-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren, dy herë brenda ditës.
Vajza u kthye më pas në shtëpi, ku nëna e saj filloi të dyshonte pasi ia pa të bijës gërvishtjet që i kishte pësuar në pjesët e trupit. Për ta kuptuar se çfarë i kishte ndodhur, ajo e ka pyetur vajzën e saj se si është lënduar. Arsyetimi i 13-vjeçares ishte: loja me shokët e shoqet e shkollës.
Për t’i vërtetuar fjalët e vajzës, më 24 mars, nëna e saj shkoi në shkollën ku e bija ndjek mësimet, për të biseduar me mësuesen. Aty, ajo e kuptoi se vajza e saj dyshohet se ishte dhunuar nga personi i dyshuar dhe u nis për Polici, ku e raportoi rastin.
Në ditën e denoncimit të rastit, Policia ka arritur të prangos të dyshuarin, të cilit iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh dhe më pas u bë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria ka vlerësuar se kjo masë duhet të caktohet pasi nëse i dyshuari lihet i lirë mund të ndikojë në rrjedhën e hetimeve dhe te familjarët e viktimës që t’i ndryshojnë deklaratat, duke pasur parasysh se palët janë kushërinj mes vete.
Kërkesa për masën e sigurisë është aprovuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, e cila ia ka caktuar 22-vjeçarit një muaj paraburgim, pasi ka vlerësuar se kërkesa është e bazuar.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me personin nën 14-vjeç dënohet me burgim prej më sa paku 10 vjet.
“Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
Kur vepra nga paragrafi 1 ose 2 i këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet, kryesi dënohet me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.