21 vjetori i Marrëveshjes së Kumanovës, Jackson serbëve: Nëse s’tërhiqeni me kohë bombardimet vazhdojnë

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Sot është 21 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës që ishte firmosur në Kumanovë, në atë që sot njihet si Maqedoni e Veriut,  e që rezultoi me dorëzimin e Sllobodan Millosheviqit dhe fillimin e largimit të forcave ushtarake të shtetit serb nga Kosova.

Kjo marrëveshje kishte ardhur pas një procesi maratonik negociatash në mes të NATO-s dhe gjeneralëve të ushtrisë së Serbisë, të cilët marrëveshjen për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova e nënshkruan  dy muaj e gjysmë pasi kishte filluar fushata ajrore e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe.

21 vjetori i Marrëveshjes së Kumanovës, Jackson serbëve: Nëse s’tërhiqeni me kohë bombardimet vazhdojnë

Marrëveshja përmbante largimin e të gjitha forcave serbe nga Kosova,  ndaljen e bombardimeve të NATO-s dhe kthimin në Kosovë të qindra kosovarëve të cilët ishin larguar me dhunë nga Kosova.

Dy delegacionet kishin treguar për vështirësinë e negociatave, por që kishte rezultuar me një marrëveshje që do të implementonte një plan paqeje për Kosovën pas 78 ditësh bombardime.

Arritja e marrëveshjes ishte bërë publike nga Gjenerali britanik Mike Jackson i cili kishte udhëhequr Forcat e NATOS të vendosura në Kosovë që njihet si KFOR(Kosovo Force).

Jackson kishte thënë se marrëveshja e nënshkruar mes NATO-s dhe gjeneralëve të Jugosllavisë tregonte udhëzimet për largimin e trupave serbe nga Kosova dhe kthimin e refugjatëve shqiptarë në Kosovë.

Jackson, gjenerali I famshëm që njihet me nofkën Princi I Errësirës pas hyrjes së KFOR’it në Kosovë ishte bërë I njohur ndërkombëtarisht me incidentin në Aeroportin e Prishtinës kur kishte argumentuar nëpërmjet telefonit me Wesley Clark gjeneralin amerikan Komandant I Forcave të NATO’s për Evropë  se çfarë duhet bërë me trupat ruse që kishin uzurpuar aeroportin, në Kumanovë kishte theksuar se nëse forcat serbe nuk do të largoheshin sipas afatit që ishte paraparë në marrëveshje, atëherë sulmet ajrore të NATO-s do të rifillonin.

 “Unë mund të konfirmoj se Gjeneral Svetozar Marjanovic dhe Gjeneral Obrad Stevanoviq kanë nënshkruar marrëveshjen në emër të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe unë kam nënshkruar në emër të NATO-s. Sipas pikave të marrëveshjes, është konfirmuar ujdia për fillimin e largimit të trupave serbe dhe nëse marrëveshja shkelet atëherë marrëveshja kërkon rifillimin e bombardimeve”, kishte thënë Jackson.

Jackson kishte thënë se fakti që ishte nënshkruar një marrëveshje e tillë tregon se ka shpresë për një të ardhme dhe për rindërtimin e Kosovës në mënyrë që shqiptarët t’i kthehen jetës së tyre normale.

Gjenerali i NATO-s kishte theksuar gjithashtu se nuk do të jetë e lehtë që të implementohet një marrëveshje e tillë dhe se e kuptonte nevojën dhe dëshirën e refugjatëve shqiptarë nga Kosova për kthim të shpejtë.

“Unë premtoj që KFOR do të bëjë të pamundurën për të siguruar që kthimi do të bëhet shpejtë dhe në mënyrën më të sigurt të mundshme.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kishte folur edhe gjenerali serb Svetozar Marjanovic, që kishte drejtuar delegacionin jugosllav.

Ai kishte thënë se s’kanë qenë negociata të lehta por që më në fund ishte bërë e mundur të arrihet një marrëveshje.

“Marrëveshja për paqe nënkupton që lufta ka përfunduar”, kishte thënë ai.

Të ngjashme