Teksa marrëveshja me Danimarkën për qelitë me qira pret dritën e gjelbër nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ku edhe pritet të ratifikohet, një medium danez ka raportuar për një pezullim të kësaj marrëveshje siç thuhej për shkak të mungesës së fondeve.
Pas një raportimi të tillë të mediumit danez ka pasur një reagim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ministres, Albulena Haxhiu, e cila ka mohuar diçka të tillë dhe ka thënë se marrëveshja me Danimarkën është valide dhe se një delegacion danez pritet ta vizitojë Kosovën përgjatë muajit tetor.
Se gjithçka është në rregull sa i përket marrëveshjes për qelitë me qira e kanë thënë edhe nga Kopenhaga zyrtare. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ministria e Drejtësisë së Danimarkës kanë thënë që marrëveshja as nuk është ndërprerë, as s’është kthyer prapa e as nuk është pezulluar.
Nga Ministria e Drejtësisë daneze thonë se çdo raportim tjetër që flet për të kundërtën bazohet në një keqkuptim që ka ndodhur.
Duke qenë se çdo gjë është në rregull, nga Danimarka thonë se bashkëpunimi për implementimin e marrëveshjes vazhdon.
“Danimarka nuk e ka ndërprerë, nuk e ka kthyer prapa apo pezulluar marrëveshjen për qelitë mes Kosovës dhe Danimarkës. Çdo raportim në media që sugjeron të kundërtën bazohet në një keqkuptim. Një shumicë e gjerë e Parlamentit danez miratoi marrëveshjen në fillim të këtij viti dhe bashkëpunimi me Kosovën për planifikimin dhe realizimin e projektit vazhdon”, ka thënë ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Mattias Tesfaye.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Kosova do t’ia japë në shfrytëzim Danimarkës 300 qeli burgu, në të cilat të burgosurit në Danimarkë do të sillen për ta buajtur dënimin.
Marrëveshja është nënshkruar me 20 dhjetor nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës Albulena Haxhiu me anë të një – siҫ ishte thënë – “letër qëllimi”.
Nga kjo marrëveshje në dhjetë vitet e ardhshme Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup, kishte treguar shteti i tij ka kërkuar ndihmë edhe nga vende të tjera për sistemimin e të burgosurve, por Kosova, sipas tij, ka qenë e para që ka ofruar ndihmë.