Sot, 15 janar 2021, janë bërë 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 44 shqiptarë të paarmatosur.
Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.
Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak.
Por edhe pse janë mbushur 22 vjet nga masakra e rëndë, institucionet e Kosovës kanë dështuar ta finalizojnë Kompleksin Memorial të Reçakut. Deri tash në këtë kompleks, sipas të dhënave zyrtare, janë shpenzuar mbi 2 milionë euro, por projekti ende s’është finalizuar.