​23 vjet nga masakra e Lubotenit

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Sot mbushen 23 vjet nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë në këtë fshat të Shkupit.

Në mëngjesin e 12 gushtit 2001, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në Luboten ku vranë fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.

Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 vjetëve burg. Nga ana tjetër, Tarçullovski, por edhe Boshkovski, nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtarë të konfliktit të vitit 2001.

Të ngjashme