24 nxënës të klasave të 10-ta nga shkolla “Fehmi Lladrovci” nga Komuna e Drenasit të premten kanë nënshkruar kontratat për fillimin e punës praktikës në kuadër të mësimit dual në kompaninë “Shehu” ndërmarrje kjo që merret me përpunimin e drurit, raporton Ekonomia Online.
Këshilltari i ministres së MASHT-it, Muhedin Nushi, tha se këta nxënës do të kryejnë praktikën në 8 ndërmarrje të përpunimit të drurit me qëllim të zbatimit të mësimit dual.
“Nënshkrimi i sotëm i kontratave ne mes të 24 nxënësve dhe 8 ndërmarrjeve të përpunimit të drurit me qëllim të zbatimit të mësimit dual është procesi i këtij i parë në Komunë e Drenasit nën ombrellën e MASHTI-t. Ky proces i mësimit dual është proces në vazhdimësi i cili këtë vit do të aplikohet në 12 profile dhe në 21 komuna të Republikës sonë. Mësimi dual është mundësi e mirë që nxënësit të njihen me atë që mësojnë në teori si dhe do të ketë ndikim në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit tonë”, tha ai.
Valbona Fetiu Mjeku, nga departamenti i arsimit dhe aftësimit profesional ne kuadër të MASHTI-t, tha se MASHT është duke e rishikuar ligjin për arsim profesional dhe se për këtë ligj do të punohet me bizneset dhe se do të jëtë ligj më i kompletuar se sa ligji aktual.
Zëvendësdrejtori i shkollës “Fehmi Lladrovci”, Fetah Thaqi, tha se nxënësit pavarësisht mësimit, me nënshkrimin e këtyre kontratave do të kenë mundësi që të punojnë dy herë në javë.
“Uroj që ky viti shkollor të ju shkoj mbarë, sepse nga ky muaj kemi filliar më mësim dual, dy ditë në javë do të punoni nëpër firmat që kanë shprehur interesim dhe na përkrahin që ta zhvillojmë mësimin dual në komunën tonë”, tha ai.
E drejtori i kompanisë Kreshnik Shehu, u shpreh i lumtur që nxënësit janë duke filluar punën praktike.
Ndërsa, Besart Krasniqi i cili do ta fillojë punën praktike në këtë kompani, u ka bërë thirrje moshatarëve të tyre që të ndjekin arsimin profesional. Ai tha se kjo praktik do t’u ndihmoj që të aftësohen në karrierë.
“Na ndihmon shumë sepse ne e kemi drejtimin për përpunim të drurit dhe kjo na ndihmon në aftësim profesional”, tha ai.