“24 orë pa rrymë” – Labinot Tahiri reagon ashpër dhe bën thirrje për protesta

Prishtinë | 04 Tet 2025 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Ndërprerjet e energjisë elektrike që kanë prekur qytete të ndryshme të Kosovës kanë sjellë reagime të forta nga qytetarët, përfshirë edhe këngëtarin dhe deputetin e njohur, Labinot Tahiri – Labi.

Ai ka shpërthyer në kritikë të ashpër ndaj institucioneve, duke denoncuar mungesën e reagimit dhe duke bërë thirrje për organizim protestash.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Labi tha se qyteti i Ferizajt, si dhe shumë zona të tjera, kanë mbetur për 24 orë pa energji elektrike, gjë që sipas tij përbën një nënçmim dhe poshtërim për qytetarët.

“24 orë pa rrymë, e shtrejtojnë sa të duan dhe askush nuk e ngrit zërin si qytetar i këtij vendi! A është e mundur që një qytet i tërë të mbetet pa rrymë dhe askush mos të reagojë?!” – shkroi ai.

Thirrje për mobilizim qytetar

Këngëtari theksoi se situata po prek rëndë jo vetëm familjet, por edhe bizneset dhe sektorin shëndetësor, ku sipas tij profesionistët nuk guxojnë të reagojnë publikisht. Në këtë kuadër, ai paralajmëroi se nga e hëna është i gatshëm të marrë vetë nismën për protesta.

“Kjo që po ndodh nuk është asgjë tjetër veçse nënçmim, nënshtrim dhe poshtërim i Ferizajt tonë dhe shumë qyteteve të tjera,” – shtoi ai.

Të ngjashme