24 veta të lënduar nga mjetet piroteknike, Çitaku: Një pacient nga Prizreni në gjendje më të rëndë

Prishtinë | 01 Jan 2025 | 01:48 | Nga Diellza Gashi

Shefi i Emergjencës në QKUK, Agron Çitaku ka deklaruar se 24 raste janë të lajmëruara, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike vetëm gjatë natës së sotme, raporton Ekonomia Online.

“Deri tani kemi 24 raste të lajmëruara, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike. Prej tyre një ka qenë në gjendje më të rëndë që ka ardhur nga Prizreni dhe është duke u trajtuar ende, tre i kemi me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët kryesisht janë në ekstremitete të lënduar “, deklaroi ai.

Çitaku tha se janë shtatë-tetë raste që janë ndalur në Prizren për trajtim.

“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste qe janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, shtoi ai.

Të ngjashme