Një 24 vjeçar i veshur si personazhi “Joker” nga “Batman” sulmoi pasagjerët e një treni në Tokio të dielën në mbrëmje.
Rreth 17 persona u lënduan teksa po shkonin për të festuar Halloween-in në qytet, shkruan BBC.
Dëshmitarët thonë se i dyshuari ka spërkatur një lëng të pastër rreth karrocës dhe e ka djegur.
“Mendova se ishte një traditë për Halloween”, tha një dëshmitar për gazetën Yomiuri për sulmin. |Pastaj, pashë një burrë që ecte në këtë rrugë, duke tundur ngadalë një thikë të gjatë”.
Sulmi ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale pranë stacionit Kokuryo, në periferinë perëndimore të qytetit. Dëshmitarët okularë thanë se i dyshuari kishte veshur një kostum ngjyrë vjollce dhe jeshile të ndezur.
Mediat raportojnë se burri është arrestuar nga policia.
Sipas gazetës Kyodo, ai i tha policisë se e adhuronte personazhin Joker në komiket e Batman. Raportet e mediave lokale thonë se i dyshuari u tha autoriteteve se donte të vriste njerëz në mënyrë që të dënohej me vdekje.
Agjencia e lajmeve AP, duke cituar Departamentin e Zjarrfikësve të Tokios, tha se tre nga të lënduarit kishin plagë të rënda. Mediat lokale raportojnë se një i moshuar ishte pa ndjenja pasi u godit me thikë.