24 vjet nga Masakra e Mejës, familjarët përkujtojnë tmerrin e përjetuar

Meje | 27 Pri 2023 | 11:00 | Nga Hasan Hoti

Familjarë të shumtë përkujtuan më të dashurit e tyre në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në Meje, teksa kërkuan që kryerësit e kësaj masakre të vihen para drejtësisë. 

Me lot në sy ata për Ekonomia Online rrëfyen tmerrin që përjetuan më 27 prill të vitit 1999.

Hyse Beqaj nga fshati Rracaj, tha se i ka të vrarë 13 anëtarë të familjes.

“I kemi 13 anëtarë të humbur gjatë luftës të familjes sime. Siç ka ditë Zoti ka ndodh, na kanë ndalë e nuk e kemi ditë se ku po shkojmë”, tha ajo me lot në sy.

Ditë tmerri ka qenë edhe për Selman Sadikunga fshati Nivokaz.

“Ditë tmerri ka qenë, po shihet vet. Gjithë këto varreza secili më i ri se tjetri”, tha ai.

Bashkim Kurtaj nga fshati Dallashaj, në këtë masakër ka të vrarë babain, vëllain dhe dy axhallarë.

Ai tha se serbët nuk e kanë kursyer askënd.

“27 prilli kohë lufte, kohë e vështirë. Atë kohë kam qenë në Prishtinë si student, ndërsa familjarë tjerë kanë qenë, ka qenë kohë e vështirë përderisa kanë qenë duke ardh këndej, e këtu në Mejë i kanë ndaluar në përgjithësi, jo për diçka por vetëm që kanë qenë shqiptarë. Nuk kanë shikuar moshë e as gjini, vëllau ka qenë 17 vjeçar atë kohë”, tha ai.

24 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë.

Të ngjashme