Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan edhe për të 25 –tën herë me radhë ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë, që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën më 4 qershor.
Haxhiu: Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutojmë për secilën çështje
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara për kryeparlamentare, akuzoi partitë deri tash në opozitë se po bëjnë sulme seksiste ndaj saj, raporton Ekonomia Online.
“Nuk i kuptoj arsyet publike që i kanë bërë opozita për kundërshtimin tim. Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutojmë për secilën çështje që kam bërë, asnjëherë nuk kam vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Sulmet seksiste, mizogjene, kanë qenë të papranueshme”, tha ajo.
Haxhiu tha se janë në pritje që Gjykata Kushtetuese të veprojë lidhur me ankesën e AAK-së për votimin e fshehtë.
“Sot ishte hera e 17-të prej kur është vendosur propozimi për votimin e fshehtë, kjo procedurë ka filluar që nga 1 maji. Përkundër kësaj, ne nuk kemi një situatë ndryshe, pra opozita me një inat irracional, ka vendosur të mos marrë pjesë në votim. Sot bëhen tri javë prej kur AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, pra AAK-ja me mbështetjen e disa deputetëve e ka kontestuar votimin e fshehtë. Përkundër faktit që kanë kaluar 3 javë nuk kemi përgjigje. Urojmë që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me rrethanat, dhe të marrë vendimin. Ne kemi dërguar komentet në raport me të njëjtën”, ka thënë Haxhiu.
Çitaku: Kosova është më e madhe sesa një emër i përveçëm
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku i bëri sërish thirrje Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj, të reflektojnë mbi ngërçin politik të shkaktuar, raporton Ekonomia Online.
”Kuvendi dhe institucionet kanë mbetur të bllokuara, po mbahen peng si shkak i kryeneçësisë së një personi. Kosova është më e madhe sesa një emër i përveçëm
Kemi hyrë në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme për vendin, ekonomia kosovare po dëmtohet dhe po rrezikohet, 140 mijë punëtorë po rrezikohen, familjet tona po rrezikohen, e në ndërkohë Kuvendi dhe institucionet vazhdojnë të mbesin të bllokuara për shkak të kryeneçësisë së grupit të parë parlamentar”, ka deklaruar Çitaku pas dështimit të 25-të me radhë të konstituimit të Kuvendit.
Edhe njëherë bëjmë ftesë për reflektim: Kosova është më e madhe se secili prej nesh veç e veç”, tha Çitaku.
Haziri: Situatë po i neverit qytetarët, partia fituese le të gjejë zgjidhje
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri tha se situatat e krijuar është bërë neveritëse, raporton Ekonomia Online.
“Fatkeqësisht një ditë po, një ditë jo, po përsëritet situata e njëjtë. Mungesa e një vullneti politik, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë politike, tashmë është bërë e pavlefshme me përmend. Jemi vonë, është bërë neverike për qytetarët dhe për vet neve si përfaqësues. Por gjithmonë ka rrugë mundësi që duhet të shtjerrën deri në fund dhe të gjendet një rrugë. Nuk ka të bëjë për mua dhe LDK-në emri i përveçëm, ka të bëjë parimi në mënyrë që konstituimi të finalizohet më shpejtë dhe një marrëveshje politike është përtej urgjencës. Sepse Kosova përfundimisht është në krizë politike”, tha ai.
Berisha: AAK ka dhënë disa opsione, por nuk po duan
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se ata kanë dhënë disa opsione për të dalë nga ngërçi politik, raporton Ekonomia Online.
“Në krejt situatat kemi dhënë opsione për me dalë nga kjo, por çka me bë që këta tjerët s’po duan. Deputetët duhet ta bëjnë zgjidhjen. Po bisedojmë. Krejt kohën jemi duke e dhënë opsione për të dalë nga kjo situatë. Nëse lypë parashikime, nuk mumd të japë”, tha ai.