Nesër nëhen 25 vjet nga masakra e Reçakut, ku 45 civilë shqiptarë u vranë nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.
Askush nga ekzekutuesit apo urdhërdhënësit e kësaj masakre, nuk është dënuar ende.
Ndërkohë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në nëntor të vitit 2023, filloi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte ndaj Çedomir Aksiq.
Aksiq mes tjerash dyshohet edhe për pjesëmarrje në vrasjen e disa civilëve në Reçak.
“Tanimë me hyrjen në fuqi të Gjykimit në Mungesë, besojmë se së shpejti Prokuroria Speciale do fillojë me ngritjen e aktakuzave në mungesë për masakrën e Reçakut”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Për krimet e kryera në Reçak, Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, pat ngritur aktakuzë ndaj disa eprorëve të ushtarak të lartë serb. Mirëpo, askush nga të akuzuarit, nuk u dënua drejtpërsëdrejti.
Alija thotë se insituticionet e Kosovës, mundë të përdorin edhe të dhënat e Tribunalit të Hagës.
“Sigurisht që edhe nga databaza e Hagës mundë të gjinden disa eprorë disa emra që kanë dhënë urdhër apo kanë qenë të përfshirë në masakrën e Reçakut. Sigurusht që të gjithë këta emra dhe prova i ka siguruara edhe Prokuroria e Kosovës dhe siç e potencova edhe më herët pritet që së shpejti të kemi ndoshta edhe aktakuza në mungesë”, tha Alija.
Masakra e Reçakut, nga shefi i misionit verifikues të OSBE-së, William Wallker u cilësua si krim kundër njerëzimit.
Serbia përmes mjeteve të komunikimit masiv, ka tentuar ta paraqes masakrën e Reçakut si një operacion policor kundër-terrorist, duke pretenduar se të vrarët ishin të armatosur.
Ndërkaq, Ivan Todosijeviç, zyrtar i Listës Serbe, ishte dënuar me burg për mohim të masakrës së Reçakut. Në vitin 2023, Gjykata Supreme i pat hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij.
Krerët shtetëror të Kosovës, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut patën njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.