Disa qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online, janë shprehur të zhgënjyer nga Qeveria Kurti për “mungesë perspektive” me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit. E disa të tjerë, thanë se mungesa e ish-krerëve të UÇK-së e zbeh festën e çlirimit.
Emin Hoti, cili jeton në Holandë për më shumë se 30 vite, ka ardhur enkas për këtë manifestim. Ai për Ekonomia Online, ka shprehur shqetësimin e tij për mungesë perspektive.
Ndonëse e pranon se është angazhuar për ardhjen e Kurtit në pushtet, ai e ndjen vetën të mashtruar, ndërsa nuk kursehet me kritika ndaj Kurtit.
“Jetoj që nga viti 1993 në Holandë, kam ardhë veç për ketë dite prej Holandës dhe nuk kam marr pjesë kurrë, është hera e parë. Ndihem shumë keq na ka mashtruar kjo Qeveri që është edhe Vjosa edhe Albini i kom përkrah në zgjidhjet e fundit por jam shumë i dëshpëruar, asgjë nuk kanë bërë, sen s’po shifet s’ka drejtësi e as ekonomi. Unë jetoj këtu në Prishtinë që 8 vjet nuk po shoh diçka që u ndreq prej që e ka marr Qeverinë (Albin Kurti), bisedoj mbrëmje me njerëz krejt njerëzit janë të pakënaqur, e kemi përkrah 51 për qind me bë ndryshime të mëdha e asnjë ndryshim nuk e ka bërë veç ka mashtruar prej qeverie dhe është ende duke mashtruar”, u shpreh ai.
E ish-ushtari i UÇK-së, Azem Ismaili, e ndjen këtë festë të zbehtë për shkak të mungesës së ish-krerëve të UÇK-së.
“Respekti dhe nderimi ju takon dëshmorëve e veteranëve të UÇK-së. Më vjen keq që 25-vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës, mungon Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, etj. Unë ndihëm shumë mirë por ndjej keqardhje pikërisht për mungesën e këtyre njerëzve që nuk janë në këtë ditë. Unë kam qenë pjesë e UÇK dhe mendoj që duhet më bë shumë më shumë institucionet për këtë kategori për këta njerëz mendoj që nuk është bërë mjaftueshëm”, u shpreh Ismaili.
Ndërsa Ajlinda Limoni, në këtë ceremoni kishte ardhur për ta parë parakalimin e vëllait të saj si pjesëtar i FSK-së.