Një skandal ka shpërthyer gjatë kësaj jave në Spitalin e Vushtrrisë. Atje janë arrestuar dy kirurgë e një tjetër po kërkohet nën dyshimet për “marrje ryshfeti”.
Dy mjekët dr. Arsim Latifaj e dr. Ekrem Sefiu u ndaluan të martën. I treti dr. Isuf Zekaj ka ftesë nga Policia që të paraqitet në stacionin policor. Por i njëjti ende nuk është paraqitur në hetuesi.
Për Nacionalen një familjar i një pacienteje ka rrëfyer se si dr. Isuf Zekaj i ka marrë para në shumën e 250 eurove me arsyetimin se do të blejë penj kirurgjikalë për operimin e nënës së tij. Për Nacionalen ky person ka rrëfyer për bisedën me dr. Zekajn dhe më pas operimin e nënes së tij.
Në dhjetorin e vitit 2021 Premtim Fetahu nga Podujeva ishte ballafaquar me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të nënës së tij 61-vjeçare. Nëna e Premtimit kishte gurë në veshka e si rrjedhojë duhet të operohej që shëndeti i saj të përmirësohej.
Operacionin familja vendosi që ta kryejë në spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed” ,- tek kirurgu Isuf Zekaj. Nga familja e 62-vjeçares theksojnë se pas konsultave në ordinancën private me kirurgun Zekaj, ata kishin vendosur që operimin ta bënin në spitalin publik te po i njëjti doktor.
Por, për këtë punë familja e 61-vjeçares thotë t’ia ketë dhënë mjekut Zekaj 250 euro që të blejë penj për ta kryer operimin e nënës. Penjtë sipas familjes i kishte siguruar vet mjeku qe do ta kryente operacionin.
Në një deklaratë për Gazetën Nacionale, Premtim Fetahu ka rrëfyer se si në dhjetorin e vitit 2021 ia ka dhënë kirurgut Isuf Zekaj 250 euro.
“250 euro ia kam jap nalt në spital (Spitalin e Vushtrrisë), para se me shti në operacion-në sallë. Atë ditë e kanë operu. Atë ditë tha unë i kom marrë ato pejtë e çka shkojnë për aty. Edhe më tha 250 euro. Thash në rregull doktor, qe ku i ke. I mori 250 euro. kam pa edhe tjetre familjarë të pacientëve që kanë hy në të njëjtën dhomë- unë i thosha dhoma e rrëfimeve,” – ka thënë Premtim Fetahu familjar i pacientit.
Tutje ai thekson se e ka pyetur mjekun nëse mundet vet me i ble penjtë, sipas tij dr, Isuf Zekaj i ka thënë se vet do t’ia sigurojë ata penjë.
Tutje ai tregon se si mjeku e ka pyetur edhe se cilin lloj të penjve po e duan për operacionin e nënës.
“I kam thënë, po më ka thënë janë mungesë ato. I tash a mundem me i marrë vet- tha jo se s’i dini. Tha a doni 150 janë ma të dobët a 250? Na e zgjodhëm 250. Nga operacioni gjithçka ka shumë mirë. Ai (doktori0 na i ka bo me fletlëshim me të gjitha edhe ne vec kemi dale,”- rrëfen tutje Premtimi.
Nga familja që po ankohen në mjekun Zekaj po theksojnë se operimi i nënës së tyre është bërë me 20 dhjetor të vitit 2021 pas orës 12:00 pasdite nga gurët.
Kirurgu Isuf Zekaj ende nuk është arrestuar
E ndërkohë gjatë ditës së martë të 10 janarit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy kirurgë në spitalin e Vushtrrisë si të dyshuar për marrje ryshfeti, ndërsa i treti është ende në kërkim.
Tre kirurgët poashtu janë suspenduar nga puna në këtë spital.
E nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës të enjten dhanë detaje se doktori Isuf Zekaj ende nuk është arrestuar.
“Deri tani i dyshuari me iniciale I.Z., nuk është arrestuar,” – thanë nga Prokuroria.
Ndërkohë sa i përket të pandehurit Ekrem Sefiu gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
“….kurse ka refuzuar kërkesën e PTH Mitrovicë për caktimin e paraburgimit, mirëpo Prokuroria Themelore në Mitrovicë brenda afatit ligjor do të paraqes ankesë ndaj vendimit të gjykatës,”- kane sqaruar tutje nga Prokuroria.
Kujtojmë se tre kirurgët janë të dyshuar për veprën marrje ryshfeti pas raportimit të Gazetës Shneta, ku u publikuan vide-dëshmi të pacientëve dhe familjarëve të cilët tregojnë se si iu kanë dhënë para mjekëve për të kryer operacionet.
Hetimet për këtë punë po i vazhdon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Kujtojmë se kirurgët janë suspenduar edhe nga puna në spitalin e Vushtrrisë.
“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. Isuf Zekaj, shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. Ekrem Sefiu dhe dr. Arsim Latifaj suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, ka thënë për mediat drejtoresha e spitalit Dr. Shekfije Shatri”, thotë ajo