Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetjen e Viktimave të Torturës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) risjell në vëmendje të opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria.
QKRMT konsideron që, Traktati i nënshkruar në mes të dy shteteve për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë ka implikime të drejtpërdrejta në:
§ Standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që dalin nga Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, të cilat janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin përkatës në fuqi.
§ Aplikimin e standardeve të dyfishta për të burgosurit vendorë në raport me të burgosurit e transferuar nga Danimarka në Kosovë.
§ Ekspozimin e të burgosurve që do të transferohen karshi rrezikut të keqtrajtimit.
§ Kontaktin e të burgosurve me botën e jashtme, gjegjësisht familjen dhe shoqërinë.
§ Aspektet shëndetësore dhe ankesat apo veprimet ligjore të të burgosurve.
§ Krijimin e një precedenti të ri
Prandaj, me qëllim të minimizimit të këtyre ndikimeve, rritjes së transparencës e llogaridhënies, dhe mbi të gjitha parandalimit të torturës, QKRMT njashtu kërkon që t’u mundësohet organizatave jo-qeveritare të shtetit pritës, që monitorojnë të drejtat e njeriut në institucionet e mbyllura, qasja e plotë edhe në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.
Kujtojmë që, sipas Traktatit të nënshkruar kjo e drejtë e mbikëqyrjes u njihet: Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Ombudspersonit Parlamentar të Danimarkës, avokatëve dhe organizatave nga shteti dërgues (Danimarka) që ofrojnë shërbime ligjore për të burgosurit, ndërsa Ombudspersoni i shtetit pranues (Kosova) mund të kryejë inspektime vetëm në lidhje me rregullat dhe rregulloret e shtetit pranues.