26-vjeçari i kërkuar nga Italia kapet në Kavajë, akuzohet për trafik droge

Prishtinë | 25 Kor 2026 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Sektori për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”, duke lokalizuar dhe arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës dhe Komisariatin e Policisë Kavajë, specialistët e FAST Albania arrestuan provizorisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin S. B., 26 vjeç, banues në Kavajë, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias në Itali i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Sipas hetimeve, 26-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale, e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë, që trafikonte lëndë narkotike për shpërndarje në disa zona të Italisë. Për veprën penale të dyshuar, ligji italian parashikon dënim deri në 24 vite burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Të ngjashme