Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2022 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1660 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një rënie të lehtë të numrit të ankuesve, pasi vitin e kaluar IPK-ja ka trajtuar 2013 ankesa.
Prej tyre 1075 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 575 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale, 4 janë identifikuar si incidente të profilit të lartë dhe 5 nga to janë përcjellë në Departamentin e Inspektimeve, ka njoftuar IPK-ja.
Bazuar në të dhënat nga evidencat zyrtare, gjatë vitit 2022, subjekti i hetimit nga IPK-ja kanë qenë gjithsej 274 punonjës policorë të cilët janë hetuar me dyshimin se kanë kryer vepra penale.
Gjatë vitit 2022, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:
115 arrestime (107 zyrtarë policorë dhe 8 qytetarë të dyshuar);
157 rekomandime për suspendim;
5 rekomandime për transfere.
Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 64 Kallëzime Penale, 28 Raporte të Veçanta dhe 9 Raporte Informuese.