Vera tashmë ka ardhur dhe kushdo e ka mendjen vetëm te pushimet. Kjo jo për faktin se viti ka qenë shumë i ngarkuar me punë, porse është stina që na fton më tepër drejt bregdetit, të cilin shumica prej nesh e adhuron… Nën çadër dita bëhet më e gjatë, por me disa rite të këndshme: lyerja me kremin e diellit, larja në det, leximi i një libri, koktejet e frutave apo shëtitjet në breg janë momente që dhurojnë shumë çlodhje. Kemi përzgjedhur tri këshilla për të kaluar pushime sa më të bukura dhe çlodhëse…
Mbajeni sa më larg punën
Nisuni! Këshilla më e thjeshtë: mos merrni asgjë me vete që ju lidh me punën, hapeni celularin sa më rrallë dhe vetëm atëherë kur ju mungon zëri i njerëzve të dashur.
Përsërisni shpesh me vete: jam me pushime, kam nevojë të çlodhem, të ndryshoj idetë, të rri me njerëzit e mi, në botën time. Nëse jeni të ngërthyer nga ankthi i mesazheve që mund të vijnë në postën tuaj, vendosni të paktën një rregull për t’i hapur ato: një ose dy orë në javë. Vetëm kaq, përndryshe nuk do të arrini të shkëputeni për asnjë çast e problemet rrezikojnë t’u shkatërrojnë gjithçka.
Mos e mbani mendjen tek ora
Jetojini pushimet me ritmin tuaj. Lëreni orën në shtëpi, harrojeni kohën dhe do ta kuptoni se sa mirë është të udhëhiqeni nga ora juaj biologjike. Një relaks total: Larg kohës, larg shqetësimeve e problemeve, i harruar brenda vetes dhe njerëzve që ju duan dhe i doni, do t’ju ushqejë me një energji e psikologji pozitive nga e cila të gjithë do të përfitojnë.
Gëzoni pushimet
Pushimet i bëjnë mirë shëndetit tuaj. Një argument i fortë: Sipas një studimi të botuar së fundmi në “Mother Jones magazine”, rreziku i atakëve kardiakë është 30% më i lartë tek ata persona që nuk kanë bërë pushime që prej 5 vitesh. Pasi keni mbyllur gjërat më të rëndësishme, lajmërojini kolegët, por edhe miqtë tuaj se do të niseni me pushime, për t’u dhënë të kuptojnë që s’kanë aspak të drejtë t’ju shqetësojnë. (Aktivizoni një mesazh në celular apo në postën tuaj elektronike “Jam me pushime, kthehem në x datë”.)
Mendoni para se të niseni me pushime për dikë që mund t’i besoni në rast nevoje, në punë ose për gjithçka tjetër keni lënë pas.