3 policët e Kosovës u kidnapuan rreth 300 metra brenda territorit të Kosovës, dalin pamjet e vendit ku ndodhi ngjarja

Prishtinë | 14 Qer 2023 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Tre pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës, dyshohet se janë kidnapuar nga persona të maskuar sot në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviqit.

“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, ka njoftuar policia.

Zona ku dyshohet se janë kidnapuar policët e Kosovës ndodhet rreth 300 metra brenda në territorin e Republikës së Kosovës.

Pamjet e mëposhtme tregojnë vendin ku dyshohet se u kapen 3 policët e Kosovës. Zona tashmë është rrethuar me shiritat e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se “me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

Behet e ditur se në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, njofton Policia.

Në videon e publikuar në disa medie, policët serbë dëgjohen teksa iu bërtasin dhe “i poshtërojnë” policët kosovarë.

Të ngjashme