Dje rreth orës 20:40 në Prishtinë është lënduar nga rethojat e një ndërtese një fëmijë 3 vjeçar. Ai po trajtohet në Mjekimin Intenziv dhe gjendja e tij është e rëndë.
Një 3 vjeçar është lënduar nga rrethojat e një ndërtese pranë Fakultetit Teknik në Prishtinë dhe gjendja e tij po vazhdon të jetë e rëndë, raporton Gazeta Express.
Pas lëndimit 3 vjeçari ishte dërguar në Klinikën Emergjente e pastaj ishte transferuar mbrëmë në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Express shefi i intensivës, Shaqir Uka.
3 vjeçari ka lëndime në kokë, ka thyerje të kockave të fytyrës e gjakderdhje në kry.
Ai ka thënë se gjedja e tij për momentin është stabile, por që fëmija po mbahet me aparat të frymëmarrjes.
“Fëmija është sjellë në Mjekimin Intensiv nga Qendra Emergjente, për shkak të lëndimeve që i ka pësu, pas ekzaminimeve që janë kry në Qendrën Emergjente dhe konsultimeve që u dasht me i bë, pacienti, gjegjësisht fëmija, është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në Njësinë e Mjekimit Intensiv. Vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna dhe i lidhur me aparat të frymëmarrjes. Vazhdon të merr krejt terapinë, sipas protokollit të trajtimit”, ka thënë ai.