Pas kërkesave të vazhdueshme të shprehura nga ana e këshilltarëve të Kuvendit, Komuna e Prizrenit ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për blerjen e laptopëve. Në njoftimin për kontratë të kësaj komune shkruan se parashihet furnizimi me 45 laptopë. Kuvendi i Komunës së Prizrenit përbëhet prej 41 këshilltarëve.
“Vlera e parashikuar e kontratës është 30 mijë euro”, shkruan në njoftimin për kontratë, që do të jetë e hapur deri më 8 maj të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
Kuvendarët e mandatit aktual shpeshherë kanë adresuar çështjen e furnizimit të tyre me laptopë si mjet pune. Ndërkohë zyrtarët e Ekzekutivit kanë theksuar se kjo çështje kërkon definim, pasi laptopët që Komuna ua ka dhënë kuvendarëve nuk janë dorëzuar prapa, ani pse janë regjistruar si pasuri komunale.
Këshilltarja Sherife Balaj nga radhët e PDK-së disa herë ka adresuar këtë kërkesë në seancat e KK-së. Madje një herë është shprehur se është “lodhur duke i kërkuar ata laptopë”.