Emrat e delegacionit të Senatit amerikan, kryesuar nga senatori Bob Dole, janë vendosur në pllakën përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
30 vjet më parë, pikërisht më datë 29 gusht të vitit 1990, senatorët kanë zbarkuar në Kosovë, ku për qëllim kishin mbledhjen e informacioneve lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut që bëhej në atë kohë.
Në zbulimin e kësaj pllake ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla tha se kjo vizitë ka qenë historike.
“Është emocion i veçantë, unë kam qen veç gjashtë vjeç, ndërsa ju e keni memorien e freskët të kësaj dite ku delegacioni i senatit Amerikan nën masa të rrepta të sigurisë të forcave serbe ka ardhë e ka vizituar Kosovën dhe ka bërë me dije se demokracia dhe liria për popullin shqiptar po vjen dhe kjo shënon kthesën e madhe për liri dhe pavarësi të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo tha se sot fatkeqësisht nuk janë në mesin tonë disa nga politikanët e Kosovës që pritën këtë delegacion, siç ka qenë presidenti Ibrahim Rugova e veprimtari çështjes kombëtare Adem Demaçi.