Për një ditë u suspenduan nga puna dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Më 19 maj një polic nga Drenasi dhe një police nga Gjakova janë suspenduar nga puna pasi vepruan kundër parimeve udhëzuese dhe udhëheqëse të Policisë.
Por për këtë arsyeje, për pesë muaj, janar-maj janë suspenduar 31 personel policor.
Këtë e kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në një përgjigje për IndeksOnline. Sipas të dhënave tanimë 11 prej zyrtarëve policorë iu është ndërprerë suspendimi.
“Referuar pyetjes suaj lidhur me numrin e suspendimeve gjatë këtij viti (janar-maj aktual) sipas të dhënave janë suspenduar 31 personel policor, 11 prej tyre ju është ndërprerë suspendimi”, thuhet në përgjigje.
Sipas PK-së “arsyet e suspendimit janë për shkak se veprimet/mosveprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim në veçanti me Ligjin e Policisë dhe aktet tjera nënligjore për të cila konsiderohen shkeljet të rënda disiplinore”.
Ndërkohë, zyrtarja policore nga Gjakova u suspendua dy ditë më parë për shkak se kishte bërë gjeste të pahijshme në rrjetin social, “Tik-Tok” duke kënduar këngën “Dior”, me uniformën e punës.
E njësoj pësoi edhe polici nga Drenasi, pas komenteve të ngjashme si “A dini qysh mundet Kosova m’u bë me kopsht zoologjik për një kohë të shkurtër – Veç e rrethekon Drenicën n’tela”.
Ky koment i tij bëri që të reagojë PK-ja dhe ta suspendojë.